Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka reaguar, pas akuzave të bërë nga Partia Demokratike, e cila denoncoi skandalin e barnave të skaduara. Sipas PD, ilaçet ndodhen në farmacinë qendrore të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza, ndërsa Manastirliu thotë se përpara se të shpifë, me shpresën se diçka mbase mbetet, ish Zëvendësministri i Shëndetësisë në një kohë të mjerë për Shëndetësinë, bën mirë të dëgjojë ata qindra profesionistë të shëndetit,

 Reagimi i ministres:

Një nga punët e bëra në katër vitet që drejtova Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ishte që i dhamë fund praktikës së blerjes së barnave në prag skadence, e bashkë me të, edhe pazarit që bëhej në kurriz të jetës së qytetarëve.

Përpara se të shpifë, shpifë, me shpresën se diçka mbase mbetet, ish Zëvendësministri i Shëndetësisë në një kohë të mjerë për Shëndetësinë, bën mirë të dëgjojë ata qindra profesionistë të shëndetit, profesorë të nderuar dhe mjekë të mirë të këtij vendi, me të cilët pata nderin të bashkëpunoj 4 vite në krye të QSUT, dhe sot në cilësinë e Ministres së Shëndetësisë.

Ilaçi më i mirë, i paskadueshëm, përballë shpifjeve janë faktet dhe shifrat. Dhe ato janë kokëforta, sepse ofrojnë qartësinë e mjaftueshme për të bërë dallimin, mes atyre që QSUT-në e katandisën në magazinë ku rrallëherë hynte ajo çfarë blihej, dhe atyre që i rikthyen dinjitetin, rregullin dhe korrektësinë këtij institucioni.

Dhe faktet thonë:

Për herë të parë nga 2014, vendosëm që në çdo kontratë blerje barnash në QSUT, të përfshihej një klauzolë e posaçme: “Në rast mospërdorimi për arsye objektive të medikamenteve, duke sjellë si pasojë afrimin e skadencës, shoqëria furnitore, duhet të marrë masa për tërheqjen e medikamenteve dhe zëvendësimin e tyre me të njëjtin artikull, me afat më të gjatë skadence”. Ky është fakt!

Sepse për mua dhe ekipin që drejtoj siguria e qytetarëve dhe përdorimi me efikasitet i fondeve publike janë parësore. Prandaj sot, barnat në spitale janë të sigurta dhe blihen vetëm sipas nevojave, duke shmangur një herë e mirë skadencën, dhe duke garantuar që çdo bar të shkojë për kurimin e qytetarëve.

Po kështu edhe për spitalet e rretheve, nëpërmjet marrëveshjes kuadër të bërë për herë të parë në vitin 2018, ne kemi siguruar blerjen e barnave sipas sasive të kërkuara nga spitalet, duke shmangur edhe stokun edhe skadencat dhe duke mundësuar që spitalet të kenë hapësira të zgjedhin dhe të përdorin barnat, në sasitë që u nevojiten. Ky është fakt!

Sa për donacione të kompanive dhe shoqatave, mjafton të lexoni raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili konstaton me fakte e shifra, periudhën kur janë marrë donacione barnash në QSUT dhe kur kanë skaduar. Sipas tij, keni futur në depon e spitalit barna të dhuruara, në prag skadence që nuk përdoreshin nga shërbimet mjekësore, me një vlerë prej prej 117 milion lekë, vetëm në periudhën 2011 – 2013. Ky është fakt. Ka plot të tjera!

Siguroj qytetarët dhe pacientët se në Farmacinë e QSUT, nuk ka ilaçe të skaduara, pasi çdo medikament merret në dorëzim nga një grup verifikimi, hyn në farmaci sipas një sistemi të dixhitalizuar dhe dorëzohet në shërbime, i kontrolluar nga ekipet përgjegjëse. Sa i përket barnave të skaduara të akumuluara prej viteve 2009 e në vijim, në magazinat e QSUT, është hapur procedura e asgjesimit të tyre nga insitucioni përgjegjës, bazuar në legjislacionin në fuqi./tvklan.al