Kryeministri Rama është shprehur se Ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu ka të gjithë mbështetjen e tij, për të cilën ka thënë se do të luajë një rol të rëndësishëm në trasformimin e sistemit arsimit duke e bërë atë më të mirë. Gjatë fjalës së tij, Kryeministri Rama tha se kjo është një përgjigje ndaj të gjithë atyre që deshën të nxjerrin përfitime nga tragjedia e një familje dhe humbja e një jete duke drejtuar gishtin dhe kërkuar përgjegjësi.
Edi Rama: Nuk ka se si të ketë një përgjegjësi të vetme, por ka një tërësi përgjegjësish dhe çka ka dalë më së miri në të gjithë këtë proces është se në përjetimin, në kuptimin dhe në reflektimin ndaj një ngjarje, ka 2 Shqipëri, 1 në Parlament dhe në media dhe një Shqipëri në komunitet. Aty ku prindërit e prekur drejtpërdrejt për shkak se kanë fëmijët në shkolla, diskutojnë në mënyrë krejt tjetër. Ne kemi ndërtuar si nxitje të këtij këshillimi diskutimin mbi TikTok. Por ajo që kam dëgjuar nga shumë prindër është se TikTok po e po, por si do i bëhet me gjithë këtë dhunë dhe prurje, lumë përditë nga mediat që shkon në drejtim të kundërt me atë që duam për fëmijët tanë?
I them këto për të pasur shumë të qartë një gjë: Nuk mund të parandalohen dhe nuk mund të shmangen të gjitha ngjarjet që fatkeqësisht ndodhin dhe ajo që i dallon qasjet ndaj tyre është si reagojmë ndaj tyre. A bëhet ngjarja një arsye e fortë që pastaj si rrjedhojë, ajo sferë e veprimtarisë shoqërore bëhet më e mirë, apo bëhet ngjarja sebep që shoqëria futet në përleshje se kush e ka fajin? Unë sot ndihem i lehtësuar se në një periudhë të shkurtër pas një diskutimi të gjerë më të gjithë faktorët që janë të lidhur me këtë sferë kaq të rëndësishme, kemi një plan konkret dhe kemi sigurinë që duke zbatuar këtë plan, do të kemi një sistem arsimor akoma më të mirë dhe akoma më të sigurtë.
Dua të shpreh dhe si përgjigje për ata të cilët deshën dhe njëherë tjerër që të nxjerrin përfitime absurde nga tragjedia e një familje dhe humbja e një jete duke drejtuar gishtin dhe duke kërkuar përgjegjësi, Ministrja e Arsimit ka të gjithë mbështetjen time, ashtu sikundër ka luajtur një rol të pamohueshëm në transformimin e sistemit shëndetësor, do të luajë një rol në transformimin e sistemit arsimor duke e bërë atë më të mirë.
/tvklan.al