Atletët e Special Olympics Albania morën pjesë në një aktivitet të organizuar në Qendrën për Hapje dhe Dialog (COD), përpara nisjes së tyre në Lojërat Olimpike Speciale Botërore Dimërore, të cilat do të mbahen nga data 8 deri më 15 Mars në Torino të Italisë.

Në këtë aktivitet morën pjesë Ministrja e Arsimit dhe Sportit, përfaqësues të Komitetit Olimpik Kombëtar të cilët dhanë mesazhe në mbështetjeje për atletët.

“Sporti nuk njeh kufizime dhe çdo njeri pavarësisht sfidave mund të arrijë majat përmes përkushtimit dhe pasionit. Dhe kjo duket qartazi nga 6 sportistët tanë të cilët janë sportistët që do të garojnë në Lojërat e Olimpikut Special”, tha Ogerta Manastirliu.

Presidenti i Coca-Cola Bottling Shqipëria, Luca Busi, tha se mbështetja për sportin do të vijojë, ndërsa janë të pranishëm prej 30 vitesh në treg.

“Coca-Cola dhe Special Olympics ndajnë vlera të përbashkëta. Ndërsa jemi krenarë që sjellim tek konsumatorët shqiptarë një markë globale me rrënjë të forta lokale. Coca-Cola po mbështet atletët e Special Olympics Albania jo vetëm për udhëtimin e tyre drejt Torinos, por edhe në punën e tyre të rëndësishme gjatë gjithë vitit”, tha Luca Busi.

Për herë të parë, delegacioni shqiptar do të përfaqësojë vendin në Lojërat Olimpike Speciale Botërore Dimërore, falë mbështetjes së Coca-Cola dhe donatorëve të tjerë, duke shënuar një hap historik për përfshirjen dhe fuqizimin e personave me aftësi të kufizuara intelektuale përmes sportit.

Klan News