Kreu i qeverisë Edi Rama është përgjigjur edhe njëherë lidhur me akuzat e kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Bahsa për fshehjen e numrit të vdekjeve nga COVID.

Në një konferencë për mediat Rama tha se është teorikisht e pamundur që të fshihet numri i të vdekurve, e shtoi se viktimat nuk janë votat e zgjedhjeve në PD.

“Për sa i përket çështjet se numrit të të vdekurve më vjen shumë keq që po vazhdon kjo bisedë. E kam thënë unë dhe e kanë thënë të gjithë që është teorikisht e pamundur që të fshihen, jo praktikisht por teorikisht.

Nuk janë vota për zgjedhjet brenda PD, që numërohen sipas qejfit. Nuk ndodh sepse nuk ka asnjë autoritet tjetër, asnjë që të vendos diagnozën e vdekjes së pacientit përveç mjekut. Të thuash një poshtëri të tillë duhet të mendosh ndër të tjera që mjekët janë jo vetëm të papërgjegjshëm por dhe budallenj dhe shkelin ligjin për të fshehur viktima. Këtë mund ta thotë imagjinata e atyre që përdorin dhe të vdekur, për një luftë të dëshpëruar për pushtët.

Është e turpshme për ne këtu që të diskutojmë këto gjëra. Nuk ka si të ndodh, i vendosin vetëm mjekët. Këtë e bëjnë në të gjithë botën, e aq më pak politika dhe partitë politike që të vendosin diagnoza”, tha Rama.

Akuzat për fshehjen e numrit të viktimave janë bërë nga Lulzim Basha, teksa ishte i ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan./tvklan.al