Ish-lojtari i Barcelonës dhe Brazilit, Dani Alves, ka dalë në gjyq në Spanjë në lidhje me akuzat ndaj tij se ka përdhunuar një grua në një klub nate. 40-vjeçari ndodhet në burg prej më shumë se një viti, që kur pretendohet se ndodhi incidenti në Dhjetor të vitit 2022.

Alves rrezikon 12 vite burg nëse shpallet fajtor. Fillimisht ai mohoi që të jetë takuar me gruan që e akuzon, por më vonë tha se mes të dyve ka pasur konsensus për të kryer marrëdhënie seksuale. Gjyqi ndaj Alves përfundon të mërkurën.

Më shumë se 30 persona, mes tyre Alves vetë dhe ish-gruaja e tij pritet që të dëshmojnë. Gjykata e Barcelonës refuzoi të hënën kërkesën e tij për të pezulluar gjyqin në mënyrë që të kishte më shumë kohë për t’u përgatitur duke rrëzuar në këtë mënyrë pretendimin se i ishte bërë gjyq nga mediat.

Akuzuesja e Alves ishte mes dëshmitarëve ditën e parë të gjykimit. Ajo foli pas një ekrani në mënyrë që t’i mbrohej identiteti. Ajo pretendon se Alves e joshi që të futeshin në një tualet në seksionin VIP të një klubi nate në Barcelonë dhe më pas e detyroi që të kryente seks me të.

Natën e ngjarjes ajo ka qenë e shoqëruar me një kushërirë dhe një mikeshë të cilat dëshmuan po ashtu të hënën. Ato thanë se Alves kishte flirtuar më herët në mbrëmje me akuzuesen. Sipas tyre, gruaja në fillim nuk ka qenë e gatshme ta denonconte pasi kishte frikë se nuk do ta besonte njeri.

Në Spanjë një pretendim për përdhunim hetohet nën akuzën e përgjithshme për sulm seksual dhe dënimet mund të shkojnë nga 4 deri në 15 vjet. Në këtë rast prokurori kërkon 9 vjet burg për Alves si dhe të paguajë 150 mijë euro dëmshpërblim për gruan.

Mamaja e Alves, Lucia, ishte e pranishme në seancë të hënën. Ajo po ashtu mund të ndiqet penalisht pasi tregoi me emër akuzuesen e djalit të saj në një postim në rrjetet sociale përpara gjyqit. Për këtë çështje ka pasur një vendim që nuk duhet identifikuar akuzuesja për ta mbrojtur atë.

Alves u akuzua zyrtarisht në Gusht dhe gjykata vendosi se kishte prova të mjaftueshme për ta dërguar atë në gjyq. Kërkesat e tij për t’u liruar me kusht janë refuzuar pasi gjykatat konsideronin se braziliani mund të largohej nga vendi.

Dani Alves është një nga futbollistët me të dekoruar në historinë e futbolli. Ai ka luajtur me Barcelonën shumicën e karrierës, por edhe më PSG-në. Me spanjollët luajti më shumë se 400 ndeshje, duke fituar 6 kampionate dhe 3 Champions League. Klubi i tij i fundit, Pumas UNAM në Meksikë i ndërpreu kontratën brazilianit në Janar 2023./tvklan.al