Për mbrojtjen e Klajdi Mjeshtrit, 28-vjeçarit shqiptar i cili akuzohet për vrasjen me grushta të Giuseppe Tucci, zjarrfikësit 34-vjeçar nga Foggia, jashtë një diskoteke në Rimini mbrëmjen e 11 Qershorit të vitit të shkuar, akuza e vrasjes me dashje duhet të bjerë.
Teksa gjyqi është caktuar për të nisur më datë 13 Mars, mes akuzës dhe mbrojtjes po bëhet luftë mjekësh ligjorë. Siç raportojnë mediat fqinje, mbrojtja e shqiptarit ka kërkuar gjykim të shkurtuar, që do të thotë se dënimi i Mjeshtrit ulet me një të tretën. Një kërkesë që e kanë mbështetur në përfundimet e mjekut ligjor sipas të cilit zjarrfikësi italian vdiq për shkak të traumës në pjesën e pasme të kokës, si pasojë e rënies përtokë.
Mbrojtja pretendon se 34-vjeçari nuk vdiq si pasojë e grushtave, por nga impakti me asfaltin, pas goditjeve që mori. Në të njëjtën kohë, po sipas mjekut ligjor të mbrojtjes, 34-vjeçari vdiq pas disa orësh në agoni pas sulmit për shkak se terapitë mjekësore nuk patën efekt si pasojë e alkoolit që viktima kishte në gjak.
Por të gjitha këto teza hidhen poshtë nga prokuroria e Riminit, që ka kryer hetimet, e që e akuzon shqiptarin për vrasje me dashje, në rrethana rënduese. Sipas asaj që rezultoi nga autopsia mbi trupin e viktimës, vdekja e 34-vjeçarit erdhi si pasojë e 5 grushtave që mori nga Mjeshtri.
Përballë këtyre dy versioneve, pritet që gjykata të caktojë një ekspert të tretë mjeko ligjor për të përcaktuar të vërtetën.
Klajdi Mjeshtri, i cili punonte si roje sigurie në diskotekë, akuzohet se mbrëmjen mes 10 dhe 11 Qershorit e rrahu brutalisht Tucci-n duke i marrë jetën. Gjithçka nisi brenda ambienteve të diskotekës, ku 34-vjeçari kishte shkuar bashkë me një shok. Me pretendimin se i kishte ngacmuar të dashurën, shqiptari Mjeshtri e nxori Tucci-n me forcë nga diskoteka. Por pak minuta më vonë, 34-vjeçari u rikthye në diskotekë, duke u futur nga hyrja tjetër. Kjo duket se u bë shkak për një reagim edhe më të dhunshëm nga Mjeshtri që akuzohet se e goditi me grushta e shkelma Tucci-n duke e lënë pa ndjenja në rrugë.
“Ngacmoi të dashurën time, u rikthye dhe më provokoi”, deklaroi shqiptari.
Giuseppe Tucci vdiq pas disa ditësh në agoni, në spitalin e Riminit. Babai i tij, gjithashtu zjarrfikës në shërbimin e Foggia-s, dhuroi organet e të birit (Lexo më shumë). Prindërit dhe e fejuara e Tucci-t me të cilën kishte edhe një fëmijë, kërkojnë dënimin maksimal për shqiptarin./tvklan.al