Është arrestuar një 62 vjeçar, i dënuar me 8 vite e 8 muaj burg në Itali. Siç bën me dije Policia, Alban Dauti (lindur në Fier) akuzohet për pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe trafikim droge.
Pritet ekstradimi i tij.
“Finalizohet nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, operacioni policor i koduar “Operacionalja 31”. I dënuar me mbi 8 vjet burgim në Itali, për pjesëmarrje në një organizatë kriminale, për trafikim të lëndëve narkotike, kapet në Fier, 62-vjeçari. Në kuadër të bashkëpunimit të ngushtë me partnerët italianë, me objektiv nxjerrjen përpara drejtësisë, të shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale e DPPSh-së, gjatë operacionit “Operacionalja 31”, lokalizoi dhe kapi në Fier, shtetasin Alban Dauti, 62 vjeç, i lindur në Fier.
Autoritetet gjyqësore në Milano e kanë dënuar këtë shtetas me 8 vjet e 8 muaj burgim, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në kuadër të organizatës kriminale. Interpol Tirana po bashkëpunon me homologët italianë, për të kryer ekstradimin e këtij shtetasi, në Itali”, thotë Policia.
/tvklan.al