Ambasadori i KE-së në Shqipëri, Helmuth Lohan ka kërkuar edhe njëherë futjen e PS-së në Parlament me qëllim funksionimin normal të demokracisë.

Helmuth Lohan: “Padyshim është koha që të jetë një parlament funksional, i cili është thelbi i një demokracie funksionale. Komisioni Europian po përgatit tani opinionin për kërkesën e Shqipërisë për kandidate për në BE. Një opinion që do ti referohet pjekurisë së demokracisë në vend. Besoj se ambicia juaj si dhe e jona është integrimi sa më i shpejtë i Shqipërisë në BE.”

Këtë deklaratë zoti Lohan e bëri pas forumit të tretë rajonal të programeve të bashkëpunimit ndërkufitar për vendet e rajonit, ku ishte e pranishme dhe ministrja e Integrimit Majlinda Bregu.

Edhe zonja Bregu foli për bojkotin, duke thënë se PS-ja po kërkon kthim pas. Ajo kritikoi edhe qëndrimin e socialistëve në KiE.

Majlinda Bregu: “Asnjëherë nuk ka patur nga ndonjë forcë politike gjatë këtyre viteve përveç këtij rasti. Një mesazh drejtuar Europës për të dal jashtë Europës dhe besoj që ky ishte jo vetëm çudi, por sigurisht ishte turpi më i madh që mund të ketë ndodhur gjatë këtyre viteve nga përfaqësues të politikës shqiptare. Bojkoti nuk sjell asnjë dobi, përveç se i bën dëm vendit dhe që diskutimi dhe zgjidhja e problemeve bëhet në parlament.”/tvklan.al

Gazetar: Endrit Sauku