Një grup deputetësh demokratë vijuan takimet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pas Miçiganit, ata u ndalën në New York.

Deputetja Jorida Tabaku, foli për planin emergjent të Partisë Demokratike ku përfshihen edhe emigrantët.

“Pse mos ti kemi këta aset të jashtëzakonshëm shqiptarësh në Shqipëri? Pse mos të ndryshojmë modelin e qeverisjes? Ta ndryshojmë modelin ekonomik e ti japim mundësi njerëzve të punës që fatkeqësisht sot nuk ndodh në Shqipëri. Sot, fatkeqësisht kush punon më shumë, taksohet më shumë. Sot fatkeqësisht ekonomia është e përqëndruar në pak duar. Ju keni ardhur në Amerikë për konkurrencën, për meritokracinë, e këto duam edhe ne për Shqipërinë”, tha Jorida Tabaku.     

Në fjalën e tij, kreu i Grupit Parlamentar Gazment Bardhi, ftoi shqiptarët e Amerikës të regjistrohen për zgjedhjet e 11 Majit.

“E drejta e votës është mundësia e secilit prej jush për të na treguar ne politikanëve nëse po bëjmë gjënë e duhur, për ju këtu, por edhe për familjarët tuaj që jetojnë në Shqipëri. Padyshim, ne votuam vitin e shkuar të drejtën tuaj për të votuar, e kam thënë kudo ku kam shkuar dhe do ta përsëris, jo për meritë të politikanëve, por vetëm për meritë tuaj, ishte beteja juaj, ishte fitorja juaj dhe ky është momenti që atë fitore ju ta çoni deri në fund”, tha Gazment Bardhi.          

Gjatë turit të takimeve në diasporë, përfaqësuesit e partisë demokratikë u bënë thirrje emigrantëve të votojnë në 11 Maj, që ndryshimi të bëhet realitet.

Klan News