Lajme Arkiva 2003

Për të rindërtuar Irakun e pasluftës do të marrin pjesë 6 kontraktorë  amerikan të cilët do të nisin nga puna pas vendosjes së qeverisë irakiane. Këtë e ka bërë të ditur ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë James Jeffrey gjatë një takimi të zhvilluar nga dhoma e tregtisë amerikanë me biznesmenët shqiptarë.

Jeffrey ka theksuar se biznesmenët shqiptarë të cilët shprehën dëshirën për të investuar në Irak, duhet të paraqesin të gjitha propozimet e tyre pranë zyrave të USAID-it brenda datës 10 Maj dhe më pas do të përzgjidhen nga kontraktorët amerikanë të cilët kanë edhe të drejtën ekskluzive për rindërtimin e Irakut.

James Jeffrey: “Parimi jonë është një fushë e sheshtë në lidhje me përzgjedhjen e firmave të nënkontraktorëve. Nuk ka asnjë epërsi të veçantë për ndonjë vend të caktuar dhe asnjë vend nuk është i vendosur në një listë të zezë”.

Ndërkohë numri i firmave që kanë shprehur dëshirën për të investuar në Irak është rreth 30 të cilët janë në pritje të dorëzimit të dokumentacionit të paracaktuar nga zyrat e USAID-it e më pas biznesmenët shqiptarë do të kalojnë në sitën e kontraktorëve amerikan që do të zgjedhin firmat që plotësojnë kriteret e tyre./tvklan.al