Trajneri i Sporting Lisbonës, Ruben Amorim ka folur për spekulimet se ai mund të zëvendësojë Pep Guardiolën te Manchester City. Kontrata e Guardiolës me Citysens përfundon në fund të sezonit dhe katalanasi ende nuk ka vendosur se çfarë do të bëjë.

Por në mediat britanike është raportuar se në rast se Guardiola vendos që të largohet, atëherë do të jetë Amorim ai që do ta pasojë në stol, pas rezultateve befasuese në Portugali. Drejtori aktual i Sportingut, Hugo Viana, ka rënë dakord për të zënë vendin e Txiki Begiristain vitin e ardhshëm te Siti.

Dhe në Angli besojnë se ai do të sjellë me vete edhe Amorim. Por në një deklaratë për mediat, tekniku e bëri të qartë se ai nuk mendon kalimin në Premier Ligë.

“Unë dhe Hugo Viana kemi rrugëtime të ndryshme dhe të ndara nga njëri-tjetri! Emërimi i tij nuk do të thotë se edhe unë do të shkoj te Manchester City. Kemi një marrëdhënie mjaft të mirë profesionale! Nuk ka ndryshuar asgjë rreth Sportingut! Asgjë! Gjithçka ngelet njësoj deri në fund të sezonit!”

Sporting dhe City do të përballen në Ligën e Kampioneve muajin e ardhshëm dhe Amorim tregoi se Viana do të qëndrojë larg skuadrës gjatë asaj jave. Por ai nuk pret që marrëdhënia mes tyre të ndryshojë për pjesën e mbetur të kohës së bashku në Portugali.

Amorim u bë pjesë e Sportingut në vitin 2020 dhe i udhëhoqi ata drejt titullit të parë kampion që nga viti 2002 në sezonin pasardhës. Ai e përsëriti këtë sukses edhe vitin e shkuar futbollistik dhe Sporting ka bërë një nisje perfekte në këtë sezon, duke fituar të tetë ndeshjet e kampionatit.

Klan News