Akuzat ndaj Thaçit, qëndrime pro e kundër

Politikanë dhe analistë ndërkombëtare janë të ndarë për akuzat e ngritura nga Prokuroria Speciale e Kosovës për Presidentin Hashim Thaçi.

Deputeti kristiandemokrat gjerman Peter Bajer, në rolin e raportuesit për Kosovën në Këshillin e Europës, shprehet për Deutsche Welle se akuzat për krime lufte ndaj Thaçit nuk i drejtohen gjithë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Nuk është UÇK-ja në bankën e të akuzuarve, por individë që në atë kohë kanë qenë në pozicione drejtuese. Meritat e UÇK-së janë të padiskutueshme”.

Sipas politikanit gjerman, ky është një zhvillim pozitiv që tregon se vendi po përparon në rrugën e shtetit funksional. Pajtimi, thotë Bajer, është element i rëndësishëm i trajtimit të së kaluarës, ndërsa i bën thirrje Kuvendit të Kosovës të mos e shfuqizojë Prokurorinë Speciale.

Mendim krejt të kundërt ka analisti për Ballkanin i medias publike britanike BBC, Gai De Louni, për të cilin  më e çuditshme është mënyra e shpalljes së akuzave nga Gjykata Speciale sesa vetë akuzat ndaj Thaçit, që bazohen në raportin tepër të kontestuar të hartuar në 2011-ën nga Dik Marti.

“Gjykata nuk ka zbuluar praktikisht asgjë mbi punën e saj që prej themelimit në vitin 2016. Fakti që prokurorët kanë ngritur akuza për Hashim Thaçin është më pak surprizues se mënyra e shpalljes nga Gjykata”.

Vetë Thaçi i ka hedhur poshtë si pa asnjë bazë akuzat e ngritura në këtë raport, duke paralajmëruar paditjen e senatorit zvicerian Dik Marti. 

Tv Klan