Anulohen dy ditë para balotazhit, zgjedhjet presidenciale në Rumani. Gjykata Kushtetuese e shpalli të pavlefshëm raundin e parë të presidencialeve të zhvilluar më 24 Nëntor, ku doli papritur në krye radikali i djathtë pro-rus Calin Georgescu, që kundërshton ndihmën ushtarake ndaj Ukrainës.

Shkalla më e lartë e gjyqësorit në vend e mori vendimin pasi më herët presidenti në detyrë Klaus Iohanis deklasifikoi dokumente të shërbimeve vendase të zbulimit që arrinin në konkluzionin se Rusia kishte organizuar një fushatë të fshehtë në rrjetet sociale për të promovuar Calin Georgescu-n.

Fushata përqendrohej në rrjetin kinez TikTok dhe Telegramin e shumëpërfolur si vatër të përhapjes së lajmeve të rreme.

Balotazhi do të zhvillohej të Dielën dhe sondazhet parashikonin fitoren e 62-vjeçarit pro-rus me 60%, përballë kandidates së qendrës së djathtë pro-europiane Elena Lasconi.

Më herët gjatë kësaj jave, procesi i rinumërimit të votave të raundit të parë, kërkuar po nga Gjykata Kushtetuese konfirmoi fitoren në raundin e parë të Calin Georgescu-t.

Tv Klan