Teksa Apeli i dha vulën e Partisë Demokratike ish-Kryeministrit Sali Berisha, Lulzim Basha ka mbledhur strukturat ku pas takimit, në një prononcim për media Basha tha se në mbledhje është shprehur qëndrimi se vendimi i Apelit është i padrejtë dhe i pa bazuar në ligj.

Ndër të tjera Basha tha se po shqyrtohet edhe mundësia për rekurs në Gjykatën e Lartë.

Lulzim Basha: Ajo që kemi vendosur në këtë bashkëbisedim është se nuk duhet të lëmë asnjë jashtë apo pa e marrë me vete në këtë vendimmarrje. Ka me dhjetra, me qindra me mijëra demokratë dhe qytetarë të cilët qëndrojnë dhe besojnë për të njejtat vlera si Partia Demokratike, si ne. Siç e thashë kjo betejë nuk ka qenë kurrë as për vulë, as për logo, as për karrike. Kështu që bashkë me ta do të gjejmë rrugët më të mira për të çuar përpara këtë vizion që kemi për Shqipërinë. Gjithë mitet dhe konsipracionet kanë rënë sot besoj. Duket qartë që është përvijuar një tjetër koalicion antivlerash në horizont dhe besoj këtë e kuptojnë të gjithë ata që duan largimin e Edi Ramës, jo alibi për të mbajtur Edi Ramën në pushtet dhe veten në karriken e opozitës.

Shqiptarët meritojnë të dinë se si PD dhe demokratët do jenë në gjendje të largojnë këtë qeveri. Nëse vendimet që marrim i shërbejnë kësaj ne do ecim para, por nëse përpiqen të na bëjnë pjesë të alibive për të mbajtur në këmbë pazare të vjetra dhe të reja, te ne do gjejnë të njëjtin realitet politik, si në rastin e amnistisë kemi treguar se është në krah të njerëzve.

Unë ndihem demokrat dhe bashkë me kolegët e mi, kemi një përgjegjësi ndaj atyre që këtë betejë e bëjnë për vlerat e demokratëve, jo për vulë, karrige, e logo. Qasja ime është që ky është një moment, konspiracionet që u kanë shitur se ky ka qenë bashkëpunim mes Ramës dhe PD zyrtare dhe sot e kuptojnë që nuk ka dhe s’ka patur kurrë një bashkëpunim të tillë. Jemi në një situatë ku duhen marrë vendime serioze. Partneritet ynë është me qytetarët, është me drejtësinë e refomuar që po kërcënon interesat e të korruptuarve shqiptarë e të qeverisë shqiptare.

Mbi bazë të këtyre aleancave dhe në diskutim me të gjithë demokratët dhe shqiptarët ne do marrim vendimet e duhura. Është standard nuk është retorikë. Ka pasur një ndjesi të përligjur të padrejtësisë së këtij vendimi. Nuk i tremben asgjëje fiktive, as logo, as vula, as karrigia s’të bën as demokrat më të mirë dhe as qytetar më të mirë.

Ndërsa sa i përket rekursit Basha shprehet se është përmendur si ide pasi ka një konstatim se vendimi është i padrejtë dhe i pabazuar në ligj.

Lulzim Basha: Po është hedhur ideja e rekursit, po konsiderohet nga juristët. Se ka një konstatim që vendimi është i padrejtë dhe i pabazuar në ligj. Kauza jonë nuk sjell rreth vetes ushtarë, vemje, servilë. Ushtria jonë është ushtria e shpirtrave të shqiptarëve që duan një Shqipëri ndryshe, një Shqipëri që meriton më shumë.  

/tvklan.al