Pas vendimit të Gjykatës së Apelit për vulën e PD-së, ka reaguar kryedemokrati Sali Berisha. Përmes një postimi në Facebook, ai falënderon mbështetësit e tij dhe të gjithë ata që morën pjesë në Kuvendin e 11 Dhjetorit 2021.

“Mesazh për anëtarët dhe mbështetësit e PDSH! Të dashur demokrate dhe demokratë, simpatizante dhe simpatizantë të PD. Sot është dita të falënderoj dhe të përulem me respektin më të madh para çdo demokrateje e demokrati që shkroi historinë në Kuvendin e 11 Dhjetorit!“, shkruan Berisha.

Berisha thekson se kjo është nuk është një histori personale e tij, por e demokracisë dhe opozitarizmit.

“Kjo nuk është historia e Sali Berishës, por historia e demokracisë dhe opozitarizmit, është mishërimi i aksiomës se Zoti është me qëndrestarët dhe guximtarët! Askush më shumë se demokratët nuk e kanë provuar këtë përgjatë këtyre 30 viteve, në 1992 në rrëzimin e diktaturës, në ’97 përgjatë rebelimit të kuq, por dhe sot ku pavarësisht presionit padrejtësive e kërcënimeve ata ja dolën, as të mos kapen, as te mos shiten dhe mbi të gjitha të mos zhduken! Qëndruan për Flamur!”

Në mbyllje, thotë se qëllimi kryesor i demokratëve është rrëzimi i qeverisë aktuale me në krye Edi Ramën.

“Këtij vendimi historia do t’i njohë meritën e madhe të parandalimit të një mynxyre të vërtetë për vendin, kapjen e pluralizmit politik nga partia shtet. Por sot është ditë e mirë edhe për çdo demokrat e demokrate që nuk është me Sali Berishën, por që është me Partinë Demokratike me Flamurin e saj pasi ky moment u heq atyre hendekun e ndarjes me shumicën e vëllezërve dhe motrave të tyre! Sot dera për ta është e hapur dhe respekti për kontributet dhe mendimin ndryshe është i garantuar! Sot duhet të bashkohemi rreth Flamurit të pamposhtur të betejave tona. Sot nuk ka fituar Sali Berisha, por demokracia. I vetmi i humbur sot është Edi Rama. Qëllimi ynë i përbashkët duhet të jetë bashkimi për rrëzimin e tij dhe rikthimin e shpresës tek shqiptarët për të realizuar së bashku rrotacionin e vonuar, shpëtimin e Shqipërisë! O sot o kurrë!”, shkruan kreu i PD Sali Berisha./tvklan.al