Kryetari i Partisë Demokratike ishte të dielën në Athinë ku u takua me emigrantët shqiptarë. Kryedemokrati u prit me ovacione nga shqiptarët në kryeqytetin grek.
Teksa fjalën e tij e nisi në gjuhën greke, Berisha kujtoi marrëveshjen e detit me shtetin helen, të cilën premtoi se do ta finalizojë me ardhjen e PD-së në pushtet. Sipas Berishës, nga ajo marrëveshje fitojnë të dy shtetet.
Takimin me shqiptarët në Athinë, Berisha e konsideroi më prekësin. Sipas Berishës, shqiptarët që u detyruan të largohen nga vendi, u kthyen në faktor ekonomik në Greqi.
Kryedemokrati Berisha premtoi, nëse vjen PD në pushtet, rikthimin e shqiptarëve në atdhe. Kryetari i PD tha se 5 vitet e para do të jenë pa taksa, ndërsa do ketë subvencione si në Greqi.
Nuk la pa premtuar dhe investimet në teknologji, për ta kthyer në vendin në një shtet modern. Berisha hodhi akuza ndaj Edi Ramës, duke u shprehur se me urdhër të tij u arrestua kryebashkiaku fitues i Himarës, Fredi Beleri.
Gjatë takimit në kuadër të zgjedhjeve parlamentare të 11 Majit, Berisha por dhe eksponentë të tjerë të PD u bënë thirrje shqiptarëve të diasporës të regjistrohen për të votuar.
Klan News