Pas Parmës, Athina ishte ndalesa e radhës e Sali Berishës me emigrantët që jetojnë në Greqi.
11 Maji për kreun e demokratëve është fundi i narkoshtetit ndaj dhe ndryshimi i madh tha se do të vijë nga ndëshkimi me votë që diaspora sipas tij do i bëjë Edi Ramës.
“Do t’i themi prit diasporën se po vjen.”
Premtoi rikthimin e marrëveshjes së detit të nënshkruar nga qeveria e tij me palën greke në Prill të vitit 2009, teksa akuzoi Edi Ramën si shkaktar të marrëdhënieve të tensionuara me Athinën zyrtare.
“Ju garantoj që ajo marrëveshje do finalizohet.”
Kur foli për arrestimin e ish-kryebashkiakut të Himarës, Fredi Belerit, që e shoqëronte edhe në takimin e Athinës, kundërshtarin e tij politik e atakoi me një shprehje të Niçes.
“E ka thënë Niçe, streha e fundit e horrave është nacionalizmi dhe ai do ta mbulonte me nacionalizëm prangosjen e Belerit. Çfarë qëndronte mbrapa, kanioni i Gjipesë, po merrte mandatin. Duhet t’u vinim flakën marrëdhënieve me Greqinë per kanionin e Gjipesë.”
Kryeministrin e akuzoi jo vetëm për lidhjet me krimin e drogën, por edhe për kthimin e Shqipërisë në kopshtin e Xhorxh Sorosit.
“Të gjitha erdhën në Shqipëri. Shqipëria u bë kopshti i Xhorxh Sorosit me Edi Ramën. Që të gjitha kundër opozitës, ndaj të gjithave opozita qëndroi e pamposhtur.”
Kryedemokrati foli për një progam ekonomik ambicioz, pjesë të cilit tha se është edhe mbështetja për diasporën.
“Cilido nga ju 5 vjet pa taksa, Shqipëria do vendosë po ato subvencione si e ka Greqia dhe BE për bujqësinë. Do punojmë t’u garantojmë ju pensionet kudo të jeni.”
I bindur në fitoren e 11 Majit, Berisha tha se meritën ia njeh veçanërisht shqiptarëve që jetojnë në emigracion.
“11 Maji po afron, po ju këtë dimër ia keni kthyer pranverë Shqipërisë. Fitore, fitore.”
Pas takimit me diasporën, në një intervistë dhënë për televizionin Antena 1, lideri i opozitës tha se nëse Partia Demokratike fiton zgjedhjet e 11 Majit, ajo do të synojë përmirësimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Tv Klan