Apeli i Posaçëm ka rrëzuar kërkesat e anëtarëve të grupit kriminal të vëllezërve Çopja duke lënë në fuqi masat e sigurisë që u miratuan nga Shkalla e Parë.
Të arrestuarit e operacionit “Plumbi i Artë 2”, që zbuloi dhe aktivitetin e organizatës kriminale të drejtuar nga Franc e Hajdar Çopja nga Elbasani kundërshtuan masat e sigurisë, mes të cilëve bënin pjesë edhe ish gjyqtarja e Gjykatës së Elbasanit Pajtime Fetahu që ndodhet në arrest shtëpie. Ajo akuzohet për ‘Korrupsion pasiv të gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë’.
Më 29 korrik, Gjykata e Posaçme firmosi 33 masa sigurie, nga të cilat 13, u ekzekutuan ndërsa 2 rezultojnë të arrestuar më parë jashtë Shqipërisë. Ky grup e kishte shtrirë trafikun në Europë dhe më gjerë.
Të paktën 4 atentate me 6 të vrarë, 3 vrasje të mbetura në tentativë, 14 të porositura, dhe grabitja e 4.6 milion eurove në Rinas në prillin e vitit 2019 janë disa nga krimet e zbardhura të këtij grupi.
Klan News