Gjykata e Posaçme e Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka shpallur vendimin për atë që njihet si banda e Cërrikut. Togat e zeza vendosën që të mbyllin përjetë në qeli Meti Bozi, Roland Sota (Xhepexhiu) dhe Arjan Toska. Trupa gjykuese ka vendosur që të lërë në fuqi vendimin e dhënë më herët nga gjykata e shkallës së parë për 9 të pandehurit e tjerë. Burime konfirmojnë se Apeli ka bërë disa ndryshime. Duke rrëzuar pafajësitë për episode që janë dhënë nga gjykata e shkallës së parë.
Banda e Cërrikut u cilësuan fajtorë për vrasjen e 6 gardistëve dhe plagosjen e rrezikimin e jetës së 16 të tjerëve gjatë ngjarjeve të 1997. Çështja në ngarkim të pandehurve ka pasur një kalvarë të gjatë në përballje me drejtësinë. Por Gjykata e Lartë në vitin 2015 vendosi prishjen e vendimeve të dhëna nga dy gjykatat e faktit dhe rigjykimin e dosjes nga e para, pasi u konstatuan shkelje proceduriale.
Sipas vendimit të gjykatës gjithçka ka nisur në 22 Maj të vitit 1997 kur shefi i komisariatit të Cërrikut kërkoi përforcime pasi një grup personash të armatosur kishte bllokuar postën policore. Në ndihmë të policëve u nisën 30 efektivë të Gardës së Republikës, për të vendosur rendin në postën e policisë.
Sulmi ndaj forcave të rendit ndodhi në 23 Maj 1997 në momentin që efektivët e policisë së Elbasanit dhe të Gardës hynë në Cërrik. Autokolona u sulmua me armë zjarri, por edhe me antitank, duke detyruar gardistët që gjendeshin në blind të dilnin.
Por në momentin që ata zbritën në shesh janë gjendur nën sulmin e armëve ku si pasojë Besnik Sula, Sali Martini, Petrit Ndoi gjetën vdekjen aty, ndërsa Halit Haxhia dhe Bashkim Mnella u dogjën në mjet. Kurse efektivi i gjashtë i Gardës Qemal Mehmeti arriti të largohet nga vatra e zjarrit, por ai u ndoq këmba këmbës dhe u qëllua për vdekje.
Klan News