Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, komentoi këtë të mërkurë mbledhjen e grupit parlamentar të PS.

Në fakt, mazhoranca u mblodh për të dëgjuar rektorin e Universitetit Bujqësor të Tiranës, Fatbardh Sallaku, pas 24 masave të sigurisë që lëshoi SPAK për zyrtarë të këtij institucioni.

Sipas Berishës, Rama përpiqet që të mbulojë diellin me shoshë.

“Sot mazhoranca mblodhi grupin parlamentar për të dëgjuar rektorin e një universiteti të cilit i janë lëshuar mandate arresti për një laborator që nuk ekziston dhe para të shpenzuara, askush nuk mund ta besojë, por ja që kjo ndodhi. Së pari, pse e përdor Edi Rama këtë? Edi Rama përpiqet të mbulojë diellin me shoshë, duke shfrytëzuar një dosje që në përpjestim janë shuma të vogla. Nuk mungon vetëm djegësi që nuk ekziston thotë Rama, por edhe laboratori. Përpiqet të përdorë shoshën për të mbuluar diellin”, tha Berisha.

Ndër të tjera, gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PD-së, kryedemokrati udhëzoi deputetët e tij të fokusohen te regjistrimi i diasporës./tvklan.al