Lajme Arkiva 2004

Një i paraburgosur i akuzuar për vrasje ka mundur të dalë nga qelitë e burgut në rrethana ende të panjohura, Eduard Çuni 21 vjeç, prej një viti ndodhet në qelitë e një prej reparteve të sigurisë burg në kryeqytet. Çuni akuzohet për disa vepra penale duke filluar nga grabitje e deri në vrasje.

Gjykata e Faktit të Tiranës kishte vendosur ndaj tij masën e arrestit burg pa afat dhe me akuzat e ngritura 21-vjeçari rrezikonte burgim të përjetshëm.

Bëhet e ditur se arratisja e  tij ka ardhur si pasojë e një ngatërrese të dokumentacionit të burgosurit nga juristi i burgjeve.

Lirimi i Eduard Çunit është konstatuar vetëm 30 minuta pas largimit të tij, por ndërkohë i burgosuri kishte arritur të humbiste gjurmë.

Drejtoria e Burgjeve dhe drejtoria e repartit të sigurisë ku izolohej i burgosuri nuk kanë pranuar të japin asnjë informacion mbi rrethanat e kësaj arratisjeje, ndërsa janë vënë në alarm për gjetjen dhe arrestimin e tij forcat e Policisë së Tiranës.

Efektivët e komisariatit numër 1 në Tiranë kanë realizuar që prej të enjtes disa kontrolle banesa për  kapjen e Eduard Çunit, por nuk kanë mundur ta  arrestojnë./tvklan.al