Makinat me qira në Shkodër zbuluan Viktor Markun dhe nipin e tij
Ka mohuar gjithçka në lidhje me vrasjen e Hekuran Billës, por Gjykata Penale e Tiranës ka vendosur që ta lërë në burg Sebastian Malin, personin që dyshohet se ndoqi lëvizjet e 40-vjeçarit, para se të ekzekutohej te Komuna e Parisit mbrëmjen e 11 qershorit.
Prokuroria e ka përballur Sebastian Malin me pamjet filmike, ku dukej se ai qëndronte pranë automjetit BMW X6 të Hekuran Billës, por në seancën me dyer të mbyllura, 22-vjeçari nuk ka pranuar se po e bënte për të ndihmuar në vrasje.
“E kam thënë edhe më parë. Unë lëviz shpesh. Në zonë do shkoja të takoja një vajzë dhe do blija një bluzë”.
Pavarësisht dëshmisë, gjykata nuk e ka pranuar kërkesën për ta lënë në masën arrest shtëpie, duke dhënë burg pa afat për 22-vjeçarin. Hetuesit thonë se Sebastian Mali bashkë me dajën e tij, Viktor Markun, dyshohet se kanë organizuar atentatin.
Sipas pamjeve filmike rezulton se Viktor Marku ka marrë një makinë me qira të llojit “Smart” në Shkodër, e cila më pas është përdorur nga nipi i tij, Sebastian Mali. Viktor Marku kishte hyrë në Shqipëri ilegalisht dhe është larguar sipas prokurorisë, po në të njëjtën formë, sapo bëri vrasjen.
Në kërkesën e saj, prokuroria thotë se Viktor Marku e ekzekutoi Hekuran Billën për hakmarrje, pasi në vitin 2006, 40-vjeçari i vrau vëllain, Prel Markun në Angli.
Tv Klan