Rreth 3 muaj pas vrasjes me thikë të 14-vjeçarit M.C dhe plagosjes së bashkëmoshatarit të tij, në afërsi të shkollës 9-vjeçare, “Fan Noli” në kryeqytet, Prokuroria e Tiranës ka mbyllur hetimet dhe ka çuar në gjyq dosjen penale ndaj autorit.

Ndaj 14 vjeçarit, M.P rëndon akuza e ‘Vrasje në rrethana cilësuese’ ndaj një të mituri dhe kundër dy ose më shumë personave.

Sipas Kodit Penal për këtë vepër dënimi varion nga 20 vite deri në burgim të përjetshëm, por për shkak të moshës së mitur të autorit, maksimumi i dënimit për të është 12 vite burgim.

Deri në këtë fazë të hetimit, prokuroria ka dyshime se ngjarja ka si motiv një konflikt banal mes të miturve, që si zanafillë ka një zënkë të regjistruar më 15 Nëntor të 2024, në ambientet e brendshme të shkollës 9-vjeçare.

Për këtë arsye, hetimet e organit të akuzës janë shtrirë dhe në stafin e shkollës “Fan Noli” ku studionte viktima dhe autori i ngjarjes.

Megjithatë ky hetim po ndiqet si çështje më vete dhe në njoftimin për shtyp, Prokuroria e Tiranës thotë se po verifikohen veprimet dhe mosveprimet e stafit.

Hetimi në fjalë, tashmë i ndarë në një dosje më vete është regjistruar për veprën penale “shpërdorim detyre”.

Tv Klan