Një nga bosët më të fuqishëm të drogës në botë, Ismael “El Mayo” Zambada, lider i kartelit Sinaloa të Meksikës, është arrestuar nga agjentët federalë amerikanë në El Paso, Teksas.
Arrestimet e tyre ishin pjesë e një operacioni të përbashkët nga Byroja Federale e Hetimit (FBI) dhe agjencitë e Hetimeve të Sigurisë Kombëtare (HSI).
Zambada, 76 vjeç, themeloi organizatën kriminale me Joaquin “El Chapo” Guzman, i cili aktualisht është i burgosur në SHBA. Si Zambada ashtu edhe Joaquin Guzman Lopez, djali i El Chapo, përballen me akuza të shumta në SHBA për dërgimin e sasive të mëdha të drogës në SHBA, duke përfshirë fentanilin, i cili është bërë shkaku kryesor i vdekjes për amerikanët mes moshës 18 dhe 45 vjeç.
Fox Neës raportoi se Guzman Lopez e bindi Zambadan të udhëtonte me një avion privat për në jug të Meksikës, por avioni fluturoi drejt veriut dhe më pas u ul në El Paso të Teksasit. Guzman Lopez është një nga katër djemtë e El Chapo i njohur si Los Chapitos ndërsa vëllai i tij, Ovidio Guzman, u arrestua vitin e kaluar dhe u ekstradua në Shtetet e Bashkuara.
Vitet e fundit, karteli Sinaloa është bërë objektivi më i madh i autoriteteve amerikane, të cilët kanë akuzuar sindikatat e krimit si furnizuesi më i madh i fentanilit në Shtetet e Bashkuara. Autoritetet amerikane kishin ofruar një shpërblim prej 15 milionë dollarësh për kapjen e Zambadës, ndërsa për Guzman Lopez një shpërblim prej 5 milionë dollarësh.
Karteli Sinaloa trafikon drogë në më shumë se 50 vende anembanë globit dhe është një nga dy grupet më të fuqishme të krimit të organizuar në Meksikë, sipas autoriteteve amerikane. Arrestimet e mëparshme të drejtuesve të rëndësishëm të kartelit kanë shkaktuar dhunë duke çuar në përleshje brenda organizatave dhe midis tyre dhe rivalëve të tyre.
Autoritetet amerikane gjatë vitit të kaluar kanë ngritur padi të reja kundër djemve të Zambada dhe Guzman për akuza të reja në Shtetet e Bashkuara që fokusohen në kontrabandën e fentanilit, si dhe në rrjedhën e kimikateve në laboratorët e paligjshëm të operuar nga sindikata e tyre e krimit.
Gjatë dekadave, karteli ka krijuar zinxhirë të sofistikuar furnizimi për të transportuar drogën në të gjithë globin. Viktimat e luftërave mes karteleve të drogës përfshijnë pjesëtarë të bandave, personel të sigurisë dhe gazetarë, të cilët janë në mesin e më shumë se 450.000 persona të vrarë që kur Qeveria meksikane nisi një ofensivë ushtarake kundër karteleve të drogës më 2006.
Klan News