Ismael ‘El Mayo’ Zambada është një nga emrat më famëkeq në historinë e luftës së drogës, sinonim i kartelit më të madh në botë.
I fundit i një gjenerate të liderëve të kartelit të drogës, Zambada u arrestua të enjten nga autoritetet amerikane në El Paso, Teksas, bashkë me djalin e madh të ortakut të tij, Joaquin “El Chapo” Guzman.
Por mediat amerikane raportojnë se arrestimi i “El Mayo”-s erdhi pas bashkëpunimit të djalit të “El Chapo”-s, Guzman Lopez, me autoritetet amerikane. Arrestimi i bujshëm shënon një kapitull të ri në luftën kundër grupeve të organizuara kriminale që trafikojnë lëndë narkotike në Shtetet e Bashkuara.
Sipas “Neë York Times” dhe “Wall Street Journal”, Zambada u mashtrua nga Guzman për të hipur në një avion privat, për të parë disa pista në Meksikë, nga ku do të niseshin avionët e mbushur me drogë, drejt Shteteve të Bashkuara. Por në fakt avioni përfundoi në El Paso, ku e prisnin agjentët e Sigurisë Kombëtare dhe të FBI-së.
Gjithashtu, “Fox News” raportoi se djali i “El Chapo”-s tradhtoi ortakun dhe mikun e vjetër të babait të tij, pasi mendonte se “El Mayo” ishte përgjegjës për arrestimin e babait të tij. Ai tashmë është deklaruar i pafajshëm për akuza të shumta në gjykatën federale në Teksas. Atij do t’i kërkohet të paraqitet personalisht në një konferencë të enjten e ardhshme përpara gjykatëses Kathleen Cardone, e cila do të mbikëqyrë pjesën tjetër të çështjes.
Guzman Lopez pritet të transferohet në Çikago, aty ku do të zhvillohet gjyqi kundër tij, ndërsa Zambada do të shkojë në Nju-Jork. Si Zambada ashtu edhe Joaquin Guzman Lopez, djali i El Chapo, përballen me akuza të shumta në Shtetet e Bashkuara për dergimin e sasive të mëdha të fentanilit dhe drogave të tjera në rrugët e SHBA.
Klan News