Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Personi që ka dërguar letrat kërcënuese, për vendosjen e bombës në një nga avionët e linjës ajrore hungareze është një ish-i dënuar në Gjermani. Sh. T. 38 vjeç, banues në lagjen Laprakë të Tiranës, u arrestua pas identifikimit nga policia, si personi që ka dërguar në Ambasadën Hungareze letrën kërcënuese.

Ajo është dërguar me postë dhe disa orë pasi lajmërimi rezultoi të ishte i rrem, uniformat blu bënë arrestimin e Tahirit. Autoritetet zyrtare pohuan se ky person ka qenë emigrant që prej viti 1992 në Gjermani. Atje është arrestuar dhe dënuar, më pas për veprimtari të paligjshme me 5 vjet heqje lirie dhe pas kryerjes së dënimit është transferuar në Shqipëri.

Por burimet thanë se 38 vjeçari ka dërguar të njëjtat kërcënime, me anë të letrave anonime edhe në ambasada të tjera atë çeke e gjermane këtu në Shqipëri. Tashmë i arrestuari ndodhet në qelitë e drejtorisë së policisë dhe së afërmi do të jap shpjegime para gjykatës, në seancën për masën e sigurisë ndaj tij.

Ndërkohë, në Aeroportin e Rinasit, ku u lajmërua për vendosjen e bombës në avionin e linjës hungareze Malev gjendja është normalizuar. Për disa orë rresht, forcat e shumta policore siguruan të gjithë zonën e fluturimit, derisa u verifikua, se informacioni për një akt të mundshëm terrorist qe i rrem./tvklan.al