Aeroporti i Rinasit ka njohur rritjen më të shpejtë në Europë gjatë viteve të fundit pas pandemisë sa i përket fluksit të udhëtarëve.
Kështu u shpreh Kryeministri Edi Rama në forumin ekonomik të Davosit në panelin me temë “Mënyra se si do të udhëtojmë”.
Në fjalën e tij, Rama tha se aeroporti i Shqipërisë ia kaluar edhe aeroportit të Beogradit në rajon.
“Na duhet që të kemi më shumë investime. Po përpiqemi të bëjmë maksimumin duke rritur nga njëra anë masën e zonave të mbrojtura dhe duke krijuar më shumë mjete për të transformuar atë çfarë është e mbrojtur. Nga ana tjetër, duke angazhuar shumë arkitektë ndërkombëtarë që të na ndihmojnë për të pasur projekte të ndryshme. Në Shqipëri kemi aeroportin me rritjen më të shpejtë në Europë gjatë 2-3 viteve të fundit dhe kemi tejkaluar edhe Beogradin që ka qenë aeroporti më i rëndësishëm rajonal. Vitin e kaluar e mbyllëm me thuajse 12 milionë turistë. Një rritje trafiku me hyrje/dalje të jashtëzakonshme. Po hapim një aeroport të ri tashmë në Vlorë”.
Duke krahasuar rritjen e turizmit në Arabinë Saudite me turizmin në Europë, Kryeministri Rama tha se Bashkimi Europian duhet të heqë burokracitë.
“Arabia Saudite dhe vendet e Gjirit janë një vend i jashtëzakonshëm prej të cilëve mund të mësosh dhe ndërkohë që mëson ti zbulon që përtej miteve, stereotipeve ata po investojnë në dije dhe në arsimim me nivelin më të lartë. Po angazhojmë arkitektë të jashtëzakonshëm nga mbarë bora që janë të kënaqur të punojnë me të dhe po u japim jetë projekteve arkitekturore që nuk i gjen në rajonin tonë. Problemi i Europës sot është që të fillojë të shkurtojë burokracinë dhe ta bëjë kontinentin më të lirë dhe më fleksibël”, u shpreh Kryeministri Rama.
/tvklan.al