Mbahet ditën e sotme në Rinas ceremonia “Pasagjeri 10 milionë”, ku e pranishme është edhe Zëvendëskryeministrja dhe njëherësh Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku. Gjatë fjalës së saj, Balluku ka zbuluar dhe objektivin për vitin 2025: 12 milionë pasagjerë në Rinas.

Belinda Balluku: Të kremtosh sot pasagjerin e 10 miliontë ka kaluar përmes një rruge të vështirë, mbi të gjitha një rrugë plot me dyshime, por edhe për të gjithë të tjerët që e kanë përdorur për narrativë politike. Sot, një moment reflektimi sepse ne nuk udhëhiqemi nga vetëkënaqësia. Sot janë kaluar të gjitha parashikimet tona. Tashmë, ne duhet të punojmë fuqishëm, pasi në vitin 2025, kemi marrë angazhim për të pasur në këtë aeroport mbi 12 milionë pasagjerë.

Më tej, Balluku ka thënë se përmes të gjitha pikave kufitare, në Shqipëri kanë hyrë 11 milionë e 40 vizitorë deri në muajin Nëntor.

Belinda Balluku: Ky është vendi ku prezantojmë fillimisht Shqipërinë, porta e parë ku turistët futen dhe prezantohen me Shqipërinë është aeroporti i Rinasit, ashtu siç janë edhe pikat kufitare në të cilat kemi investuar këtë vit. 11 milionë e 40 vizitorë të hyrë në vendin tonë deri në 30 Nëntor. 90% e prezantimit të Shqipërisë në momentin e parë të hyrjes bëhet nga kjo portë.

Më tej, Balluku ka ritheksuar se vitin e ardhshëm pritet hapja e aeroportit të Vlorës.  

Belinda Balluku: Vitin e ardhshëm presim hapjen e aeroportit të Vlorës që do të jetë në shërbim të plotë të qytetarëve duke ofruar çmime më të mira për biletat, më shumë destinacione fluturimesh dhe më shumë kompani ajrore në vendin tonë.

/tvklan.al