Nëse titulli i këtij artikulli ju tërhoqi vëmendjen, ky është një fillim i mirë. Dikur, kontakti me sy ishte “gur themeli” në marrëdhëniet njerëzore, por fatkeqësisht sa vjen e bëhet më i rrallë në jetën tonë të përditshme të dominuar nga ekranet. Tingujt, sinjalizimet dhe shpërqendrimet e pafundme dixhitale e kanë zhvendosur shikimin tonë larg syve të të tjerëve. Nuk janë vetëm të rriturit ata që po e humbasin këtë lloj gjëje, por edhe fëmijët të cilët mbase po rriten pa e kuptuar sa e domosdoshme është. Ky fenomen patjetër krijon komplikacione në raportin që kemi me të tjerët dhe mënyrën si komunikojmë. Duket se kuriozitetin tonë natyral për botën na e ka rrëmbyer revolucioni teknologjik.

Por pajisjet janë vetëm një nga sfidat. Le të themi se arrijmë t’i lëmë mënjanë telefonat tanë për një moment dhe të angazhohemi vërtet me dikë. Cila është pengesa e radhës?! Fillon me vetë termin që po përdorim: “kontakti me sy”.

E keni dëgjuar shpesh kur thonë “ajo ka kontakt të shkëlqyer me sy”, ose “ai e shmang shikimin kur flet”. Këto fraza e bëjnë të duket si një aftësi që e ke ose jo, por në fakt nuk është kështu. Kontakti me sy është një proces dinamik e ndërveprues që kërkon qëllim dhe vetëdije, është më saktë një aktivitet. Përshembull artistët e mëdhenj e interpretojnë ndryshe gjithçka na rrethon. Ata përdorin të gjitha shqisat e tyre për të thithur informacionin dhe për të thelluar lidhjen e tyre me mjedisin. Njëjtë, sytë tuaj ju japin një mundësi për t’u lidhur më thellë me ata përreth jush, duke ju lejuar të vini re hollësitë e ndërveprimit njerëzor.

A është vërtet kaq e thjeshtë? Po! Kontakti me sy është rezultat i përpjekjeve të zellshme dhe aktive për të deshifruar komunikimin e personit tjetër dhe për t’u siguruar që ajo që ju po thoni po ashtu kuptohet. Ky proces bëhet akoma më i lehtë në rast se je i përfshirë emocionalisht me dikë.

Madje për të, ekziston një ushtrim që quhet “Tregimi i heshtur”. Pra, ju duhet të tregoni një histori, por pa zë. Ju duhet të jeni ekspresivë, por pa vokal. Përdorni sytë, duart, mimikat dhe trupin për të përcjellë mesazhin tuaj. Qëllimi është që audienca juaj të kuptojë plotësisht historinë, edhe pa dëgjuar asnjë fjalë.  Kushtojini vëmendje reagimeve të audiences, vetullat e ngritura, sytë e zmadhuar ose tundja e kokës. Këto shenja delikate do të tregojnë nëse ata po ju ndjekin. Ajo që do të zbuloni është se “kontakti i mirë me sy” vjen natyrshëm kur ju arrini ta vlerësoni, madje s’keni nevojë për zërin në shumë momente.

Nëpërmjet praktikës, ju mund të keni kontakt kuptimplotë me sy sepse është diçka krejtësisht instiktive, por pajisjet teknologjike e kanë zbehur.

/tvklan.al