Në epokën digjitale, tregu i punës ka ndryshuar e bashkë me to edhe interesi i të rinjve mbi arsimimin e tyre, duke e kthyer teknologjinë e informacionit në një nga degët më të preferuara.
Për eksperten e arsimit dhe pedagoge në fushën e ekonomisë Manuela Meçe kërkesat e të rinjve po reflektohen edhe në degët e reja që po hapin universitetet shqiptare.
Manuela Meçe, eksperte arsimi: Ngaqë tendenca botërore është drejt automatizimit apo inteligjencës artificiale e cila është një nga programet që është hapur në disa universitete dhe po hapet në disa të tjera duket sikur të gjithë jemi të shtyrë drejt këtij sektori. Ne vëmë re edhe një lloj dixhitalizimi të disa proceseve të menaxhimit mjekësor. Vëmë re edhe që akti mund të ketë elementë të dixhitalizimit. Ato që shkollohen në këto degë të mund të përfshihen në sektorë të gjerë.
Nëse në shumë vende të zhvilluara shumë profesione rrezikohen nga inteligjenca artificial sipas Meçes, në vendin tonë ky rrezik nuk qëndron pasi sektori i shërbimeve mbetet një ndër më kryesorët.
Manuela Meçe, eksperte arsimi: Këtu nuk e shikoj një rrezik pasi ekonomia shqiptare ka ende mundësinë të jetë e balancuar sepse sektorët dominantë janë sektorë shërbimi të cilët nuk besoj që do të fshijnë menjëherë punën manuale apo numrin e njerëzve duke i zëvendësuar me kompjutera.
Arsimi i lartë në Shqipëri vitet e fundit po zhvillohet duke ofruar diploma në gjuhën angleze dhe duke u përshtatur me tregjet globale.
Manuela Meçe, eksperte arsimi: Që ne krijojmë një mundësi që burimet njerëzore të jenë të gatshme për çdo korporatë apo investitorë të huaj që të vijë në Shqipëri dhe ta gjejë mundësinë e identifikimit të këtyre burimeve kjo është një gjë shumë e mirë. Universitetet private janë avangardë. Janë ato që po tregojnë se sa të zhdërvjelltë janë për të krijuar programe mësimore në gjuhë të huaj pikërisht për të realizuar këtë staf.
Më 30 Korrik deri më 4 Gusht, maturantët në portalin u-Albania mund të zgjedhin 10 preferencat e tyre ku dëshirojnë të ndjekin studimet e larta. Por për eksperten zgjedhja e tyre duhet të ndërthuret mes pasionit dhe nevojave që ka tregu i punës vendas dhe ai rajonal.
Klan News