Shqipëria është në vendin e 7-të sa i takon legjislacionit për të Drejtën e Informimit, por kur vjen puna te zbatimi i tij, niveli s’është i njëjtë. Këtë e ka deklaruar kryeministri Edi Rama këtë të mërkurë, në Konferencën Kombëtare për të Drejtën e Informimit.


“Po e nis nga një fakt i cili është i nënvizuar në klasifikimin e Access Info Europe, që është agjencia, trupa që merret me vlerësimin e legjislacionit për transparencën. Shqipëria ishte e 86-ta në klasifikim deri në vitin 2014, kur ne hodhëm hapin e parë serioz duke transformuar bazën tonë ligjore. Sot, nëse e klikoni Shqipërinë do e gjeni në vendin e 7-të, sa i përket legjislacionit. Madje Komisioneri, që është dhe nga Labëria, që s’mund ta pranojë dot të jetë i 7-ti, po më thoshte që disa ndryshime të reja që kemi bërë dhe ligjin e ri që kemi gati, ne do ngjitemi dhe më lart. Këtu fillon edhe debati, që në këtë rast e kemi me një shembull, por mund ta gjejmë në të gjithë jetën e vendit sot.

“70% të ankesave i përmbush në sekondë Zyra e Komisionierit”

Hendeku mes legjislacionit dhe zbatimit të tij. Kur dëgjon se 70% të ankesave për mungesën e së drejtës së informimit që vijnë në Zyrën e Komisionierit, janë ankesa që përmbushen në sekondë pasi zyra vihet në lëvizje dhe i kërkron institucionit përkatës të informojë qytetarët. Është për të vënë duart në kokë. Kjo është thjesht dhe vetëm një mungesë e funksionimit të një mekanizmi terësor që e garanton të drejtën e informimit pa pasur nevojë për subjektivitetin e atyre që kujdesen për ta garantuar këtë. Dhe që nuk e bëjnë në mënyrë sistematike. Kjo dhe disa aspekte të tjera që na pengojnë ne, që siç jemi të 7-ët, në aspektin e legjislacionit, të jemi në nivel më të lartë të drejtës së informimit. Janë fruta që mund të kapen pa u sforcuar shumë dhe pa kërkuar shkallë për t’u ngjitur hap pas hapi.”

Kryeministri: Shkresat e protokolluara duhet të aksesohen!

Sipas kreut të qeverisë, informacioni mbi vendimmarrjet e institucioneve të caktuara në vend janë pronë publike.

“Tjetra që bën shumë përshtypje, është që ende sot ka një mendësi dominante në administratë që dhënia e informacionit është një ekspozim i panevojshëm. Ndërkohë që bëhet fjalë për të dhënë informacion mbi vendimmarrjet. Është absolutisht sa dramatike, aq edhe qesharake, kur pastaj marrja e informacionit, dokumenteve, që praktikisht janë shkruar e firmosur e që ekzistojnë, e nxjerrja e tij në publik paraqitet si një zbulim.

Gjeta një dokument! Në fakt ai s’është pronë e askujt në institucion, as e qeverisë, por është pronë publike. Dhe si e tillë duhet të jetë e aksesueshme. Lëndina e të gjithë dokumentacionit në institucionet shqiptare është njësoj si një park publik. Edhe këtu besoj që mund të bëjmë një progres të shpejtë.”

Rama theksoi se dezinformomi mund të luftohet vetëm duke e mekanizuar procesin e dhënies së informacionit.

“E treta, nuk ka një mënyrë më efikase për të përballur dezinformimin duke informuar më shumë. S’ka mënyrë më demokratike e ballafaquese për t’ju kundërvënë dezinformimit, sesa rritja e informimit. Informacioni i bazuar në çka realisht është e shkruar e zeza mbi të bardhë nuk shkon në proporcion me këtë si një vullnet për t’u përballur. Nuk është çështje koordinatorësh, është çështje që ne duhet ta përballim duke e mekanizuar totalisht. Fatmirësisht jetojmë në një kohë kur teknologjia është bekim për vende si yni, që prapambetjen që lidhet me mungesën e traditës së shtetit ta kompensojnë me zhvillimin teknologjik.”

E.D/tvklan.al