Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi rezolutën e Srebrenicës. Kjo e fundit e shpall 11 korrikun Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit. Rezoluta kaloi me 84 vota pro, 19 kundër dhe 68 abstenim.
“Rezoluta nuk është e drejtuar kundër askujt. As kundër Serbisë, anëtare e vlefshme e kësaj organizate. Ajo shënjestron vetëm autorët e gjenocidit“, tha në hapje të debatit ambasadorja e Gjermanisë në OKB, Antje Leendertse, vendi i së cilës e bashkëhartoi tekstin e rezolutës.
Në adresimin e tij, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se bëhet fjalë për një “rezolutë shumë të politizuar” që “nuk do t’i kontribuojë pajtimit as në Bosnje e Hercegovinë, as në rajon”.
Rezoluta, ndër të tjera, bën thirrje edhe për “dënimin pa rezerva të çdo mohimi të gjenocidit në Srebrenicë”.
Si u deklaruan vendet e tjera?
Përfaqësuesi i Kinës në OKB, Fu Kong, tha se vendi i tij do të votojë kundër rezolutës për Srebrenicën. Ai tha se Kina e ka respektuar gjithmonë sovranitetin dhe pavarësinë e Bosnje e Hercegovinës. Vlerësoi se rezoluta “është një dokument kontrovers”. Kuba, Azerbajxhani, Nikaragua dhe Venezuela u shprehën po ashtu, kundër.
Egjipti tha se do të votojë në favor të rezolutës, ndërsa Nambia, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Angola do të abstenojnë.
Gjermania dhe Ruanda janë “sponsorizueset” kryesore të rezolutës për Srebrenicën, shtetet që e iniciuan dhe hartuan tekstin e saj. Më pas, 32 shtete anëtare të OKB-së morën përsipër detyrën e prezantimit të draftit para 193 shteteve anëtare të kësaj organizate.
Për miratimin e rezolutës duhen votat e shumicës së anëtarëve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, përkatësisht 97 nga gjithsej 193.
Mbështetje për të, deri më tani, shprehën të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, përveç Serbisë dhe entitetit serb të Bosnje e Hercegovinës, Republika Sërpska. Dokumenti nxiti reagime të ashpra nga zyrtarët e tyre, edhe pse në të nuk përmendet as Serbia, as Republika Sërpska.
Në Srebrenicë – pjesa lindore e Bosnje e Hercegovinës – forcat serbe vranë mbi 8.000 burra dhe djem boshnjakë në korrik të vitit 1995. Krimi u njoh si gjenocid nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë, në vitin 2007.
/REL