Sot në ditën botërore të të drejtave të konsumatorëve, emisioni “Aldo Morning Show” në Tv Klan pati të ftuar ekspertin e kësaj fushe Granit Sokolaj. Nga studioja lëvizëse eksperti për mbrojtjen e konsumatorit u bëri thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë që të kenë kujdes me produktet që konsumojnë, të tregohen vigjilentë se ku i blejnë, përbërësit që kanë dhe të kontrollojnë gjithmonë datën e skadencës.
Granit Sokolaj u ndal gjithashtu dhe tek një pikë tjetër mjaft e rëndësishme, e cila na prek të gjithëve. Ka të bëjë pikërisht me çmimet e produkteve, e aq më tepër të produkteve të shportës. Ai tha se në vendin tonë çmimet janë abuzive në krahasim me vendet e tjera të rajonit, duke përmendur këtu shtetet fqinje si Kosova apo Maqedonia.
Sipas tij pavarësisht tregut të lirë, shteti duhet të marrë disa masa në mënyrë që të ndalohet kjo rritje pa kriter e produkteve.
Aldo: Cilat janë produktet që shqiptarët paguajnë më shumë dhe pse janë kaq shumë të shtrenjta këtu?
Granit Sokolaj: Fatkeqësisht kemi një gamë çmimesh të paktën për produktet e shportës. Megjithëse ne nuk e dimë saktë se çfarë janë produktet e shportës. Ne kemi ushqimet shumë të shtrenjta, por dhe higjienën shumë të shtrenjtë, sepse edhe higjiena është produkt shporte. Kemi çmime jashtë kontrollit, kemi çmime abuzive. Unë e krahasoj me Kosovën.
Aldo: Po çfarë ndodh me këto, nuk ka një njeri që iu rri mbi kokë?
Granit Sokolaj: Duhet të kishte, por fatkeqësisht nuk ka. Ne nuk kemi një ligj që të na ndalojë, pra një rrëzim në Gjykatë Kushtetuese, apo një akt që të thotë “jo mos pengo çmimet sepse jemi në treg të lirë”. Por, askush nuk merr masa. Në pandemi, Maqedoni ngiu çmimet e marketeve për 3 muaj, kur pati një luhatje të tmerrshme për situatën që dihej, dhe nuk lejoi marketet që të ngrinin çmimet për konsumatorët. Në Shqipëri askush nuk merret. Megjithatë në kohë krize, pandemie apo dhe lufte gjithmonë ka luhatje bursash. Por, nga ana tjetër prandaj janë institucionet shtetërore që të ndërhyjnë./tvklan.al