Ethet kanë arritur kulmin në “X Factor Albania” në Tv Klan. “Top 5” finalistët që ia kanë dalë të mbërrijnë deri në natën e 13-të: Rigersa, Leandra, Salvatore, Petro dhe Troy kërkojnë me ngulm që të vijojnë rrugëtimin drejt fitores.

Vetëm katër prej tyre do të kenë mundësinë të vazhdojnë në natën gjysmëfinale ku i pret një eksperiencë magjike. 4 emra “BIG” do të performojnë me ta: Tuna, Pirro Çako, Fifi dhe Nora Istrefi.

Por njëri prej tyre do të duhet ta lërë këtë ëndërr duke e vazhduar jashtë skenës së magjishme. Votat e publikut kanë përzgjedhur më pak të preferuarit e mbrëmjes duke vendosur në duel dy vajzat e skuadrës së Arilena Arës: Rigersën dhe Troy.

Përveçse në të njëjtën kategori, dy vajzat janë edhe mikesha shumë të mira dhe nuk i fshehën lotët e kësaj përballjeje. Përpara se të vijonin me performancat e fundit, ato realizuan edhe një improvizim “a cappella” me këngën “Mora fjalë” të Shkurte Fejzës.

Pas performanave respektive, juria zgjodhi që gjysmëfinalistja e katërt të ishte Rigersa.

Emrat gjysmëfinalistë janë: Leandra, Salvatore, Petro dhe Rigersa.

Spektakli “X Factor Albania” nuk do të transmetohet në mbrëmjen e 21 marsit për shkak të ndeshjes së Kombëtares të cilën mund ta ndiqni gjithnjë në ekranin kampion. Nata gjysmëfinale do të rikthehet në mbrëmjen e 28 marsit./tvklan.al