180 minuta të luajtura, aktivizim në dy ndeshje të plota që i bën mirë këmbëve dhe moralit të Kristjan Asllanit, që kthehet pas angazhimit me Shqipërinë me mundësinë e menjëhershme për të luajtur tek Interi në sfidën e radhës ndaj Veronës në Serie A.
Hakan Çalhanoglu pati një shqetësim në takimin kundër Uellsit dhe nuk luajti në humbjen e Turqisë kundër Malit të Zi. Tek Interi nuk duan që të rrezikojnë që ta ativizojnë në takimin e radhës më 23 nëntor. E duket se gjasat më të mëdha janë të mesfushorit kuqezi për ta nisur titullar.
Për ‘Sportmediaset’ Asllani tha se ndihet gati.
Kristjan Asllani, mesfushor i Interit: Nëse Calhanoglu do të jetë jashtë, nuk e di nëse do të më takojë mua! Siç e kam thënë gjithmonë, kërkoj që të punoj fort çdo ditë. Ajo që vjen, vjen! A ndihem gati? E kam thënë gjithmonë, ndihem shumë i rritur! Nëse më jepet mundësia edhe për 20 minuta, kërkoj që ta shfrytëzoj maksimalisht! Në fund të fundit jam vetëm 22 vjeç!
Asllani falënderoi trajnerin Silvinjo që e ka aktivizuar, ndërsa tregoi se nuk ka shumë ndryshim në pozicionin që ai luan tek Interi, me atë te Shqipëria. Ai tregoi se mund të luajë të gjitha rolet në mesfushë, por preferon që të pozicionohet pak para mbrojtjes.
Klan News