Është zbardhur dëshmia e 15 vjeçarit që vrau me thikë bashkëmoshatarin e tij në shkollën “Fan Noli” në Tiranë.

“Jemi zënë të Premten sepse po më shikonte. E kishin lënë për t’u sqaruar. Pastaj jemi zënë sërish të Hënën. Ai lajmëroi shokët si dhe unë shokët e mi. Gjatë përleshjes ndodhi ajo që ndodhi”, mësohet të ketë thënë ai para hetuesve, raporton gazetari i Klan News Besar Bajraktaraj.

Kur është pyetur nëse është penduar për aktin që ka bërë, i mituri s’ka dhënë asnjë përgjigje. Ndërkohë nuk është gjetur ende thika që ka përdorur. Sipas tij, e ka fshehur diku afër shkollës.

Ngjarja e rëndë ndodhi të Hënën rreth orës 13:00, rreth 200 metra larg shkollës 9-vjeçare “Fan Noli” në kryeqytet, ku viktima ishte nxënës. Pas sherrit mes të miturve, 14 vjeçari ka rënë në tokë prej goditjes me thikë. Ka qenë një kalimtare e rastit e cila e mori për ta dërguar në spital, por fatkeqësisht i mituri nuk i mbijetoi dot plagës së marrë.

Autorit të vrasjes iu vunë prangat një ditë më pas, për “Vrasje me dashje e kryer ndaj të miturit” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

/tvklan.al