Pas afro katër vite e gjysmë, SPAK ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim dosjen në ngarkim të 9 personave të akuzuar për atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoj, por edhe për ngjarje të tjera kriminale. Në atentatin e 1 nëntorit të 2019 mbeti i vrarë shoferi Andi Maloku dhe u plagosën ish-prokurori Ndoj dhe Aleksandër Laho, i njohur si Rrumi i Shijakut.
Për këtë ngjarje, SPAK ka evidentuar rolet e tyre, si organizator, financues, ekzekutorë dhe ndihmës. Në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë ngritur infrastrukturën për ekzekutimin e personave të targetuar për tu vrarë, duke siguruar armët, automjet dhe targat e vjedhura, që do të përdornin për të ndjekur viktimat.
SPAK thotë se ata kanë vëzhguar shënjestrën të ndihmuar edhe nga bazat e të dhënave shtetërore. Për atentatin ndaj Arjan Ndoj, të pandehurit janë angazhuar që nëpërmjet garancisë të lehtësojnë pozitën e personave të arrestuar, që të mos i implikonin ata si bashkëpunëtorë. 9 të pandehurit rezultojnë se kanë bashkëpunuar me Redjan Rrajën të dënuar me burg përjetë, dhe Ariol Halilajn i dënuar me 35-vite. Dosja ndaj këtyre të fundit është ndarë me të pandehurit e tjerë.
Për atentatin ndaj Ndojës, është hetuar edhe Marsel Deçka, por nuk janë gjetur prova për ta fajësuar. Për këtë arsye SPAK i është drejtuar Gjykatës së Posaçme të pushojë hetimet ndaj tij.
Një pjesë e të pandehurve krahas atentatit ndaj ish prokurorit Ndoj, akuzohen se kanë bashkëpunuar për të vrarë dhe Vullnet Muçën (Muharremi), Genci Maloku (babai i Andi Malokut), dhe Arben Merkurin. Sigurimi i mjeteve dhe kushteve nga të pandehurit për të kryer vrasje i përket periudhës pas atentatit të 1 nëntorit
Ramazan Rraja, Plaurent Dervishaj dhe Julian Meçaj, krahas atentatit ndaj prokurorit, apo ngjarjeve të tjera akuzohen edhe për shpërthimin me tritol në hotelin në pronësi të babait të Ervin Matës, Luan Mata. Rezulton se Ramazan Rraja ka siguruar një automjet tek njohjet e tij shoqërore në Durrës dhe ka dërguar një të afërm të tij për të hedhur sasinë e lëndës eksplozive.
Genti Nderjaku, përveç atentatit ndaj Arjan Ndojës, akuzohet se ka siguruar kushtet dhe mjetet për të kryer vrasjen e juristit Mitri Prifti, periudhë nga shtatori i 2020 deri në janar të 2021, por atentati nuk është finalizuar.
Klan News