Flojera Davidhi është gjyqtarja e posaçme, e cila ka në dorë vlerësimin e hetimeve të kryera për dosjen “Partizani”, ku SPAK i kërkon të marrë të pandehur ish-kryeministrin Sali Berisha, dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi dhe tre persona të tjerë.

Ajo u zgjodh me short këtë të mërkurë dhe brenda 5 ditësh duhet të caktojë një séance, ku do të dëgjojë të dyja palët.

Prokuroria e Posaçme thotë se hetimet e kryera e ngarkojnë me përgjegjësi ish kryeministrin se është korruptuar për privatizimin e ish-kompleksit Partizani, vepër që e ka konsumuar nëpërmjet dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi.

Si korruptuesin e tyre, SPAK thotë se është biznesmeni Fatmir Bektashi, ky i fundit bashkë me Malltezin dhe 3 të tjerë dyshohen edhe se kanë pastruar para.

Berisha dhe Malltezi nga ana tjetër kanë dorëzuar kundërshtimet e tyre, duke pretenduar se hetimi i SPAK është pa objekt me mangësi dhe se ka motive politike.

Gjyqtarja vlerëson cilësinë e hetimeve, provat nëse janë të vlefshme dhe të përdorshme ose jo dhe më pas mund të vendos kthimin e akteve, kalimin për gjykim kur ka prova të mjaftueshme ose pushim e çështjes. 


NË HETIM NGA SPAK

Sali Berisha- “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim.

Jamarbër Malltezi- “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” kryer në bashkëpunim.

Fatmir Bektashi- “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” kryer në bashkëpunim.

Xhimi Begeja- akuzuar për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim.

Andia Pustina- “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim, gjatë ushtrimit të një veprimtarie profesionale.

Subjekti juridik, shoqëria tregtare, Studio Pustina sh.p.k. – “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, gjatë ushtrimit të një veprimtarie profesionale.

Subjekti juridik, shoqëria tregtare, Homeplan sh.p.k., akuzuar për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 287 paragrafi i parë i Kodit Penal;

Subjekti juridik, shoqëria tregtare, Kontakt sh.p.k., akuzuar për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Tv Klan