Aleksandër Laho i njohur ndryshe dhe si “Rrumi i Shijakut” është gjetur fajtor nga Gjykata e Posaçme. Togat e zeza e dënuan Lahon me 1 vit e 3 muaj heqje lirie, por për shkak të gjykimit të shkurtuar u dënua përfundimisht me 10 muaj burg. Aleksandër Laho u shpall fajtor për akuzën e korrupsionit.

Prokuroria e Posaçme kërkoi 3 vite burg por që nuk u pranua nga gjykata. SPAK argumentoi se dënimit duhet të jetë më i lartë për shkak rrezikshmërisë së të pandehurit, i cili ka shmangur drejtësinë duke qenë në arrati.

Gjatë seancës gjyqësore, SPAK paraqiti dhe një video ku është filmuar akti korruptiv i “Rrumit të Shijakut” me avokatin e shtetit Irgen Kërçyku. Prokurori i SPAK gjithashtu paraqiti dhe dëshminë e Kërçykut i cili ka pranuar se është korruptuar nga Laho.

Irgen Kërçuku i dënuar më herët për këtë dosje, pranoi se në 2017 mori vlera monetare nga i ashtuquajturi Rrumi, në mënyrë që të hiqte dorë nga përfaqësimi i shtetit në një çështje gjyqësore për një pronë.

Ndërkohë avokati i Aleksandër Lahos pretendoi pafajësi, ose në të kundërt dënimin e tij në minimum, duke pretenduar se i pandehuri ndodhet në spital jashtë vendit në gjendje të rëndë dhe i gjymtuar.

Klan News