Ish-presidenti amerikan Donald Trump tha të shtunën vonë se një plumb e goditi në veshin e djathtë pasi dikush e qëlloi gjatë një tubimi në qytetin Batlër të Pensilvanisë. FBI-ja tha tha se ka marrë nën kontroll hetimin. “Agjentët specialë të zyrës së FBI-së në Pitsburg u përgjigjën menjëherë”, tha FBI në një deklaratë disa orë pas atentatit të dyshuar.
Presidenti Joe Biden, nënpresidentja Kamala Harris dhe ish-presidenti Barack Obama lëshuan deklarata të forta duke dënuar dhunën.
Incidenti po hetohet si atentat, sipas njoftimeve të mediave, dhe mund të intensifikojë dhe komplikojë më tej garën presidenciale.
Zoti Trump konfirmoi në një deklaratë të publikuar në faqen e tij të mediave sociale, se autori i sulmit u vra, ashtu si edhe një pjesëmarrës në tubim. Dy persona të tjerë janë plagosur, sipas një deklarate të Shërbimit Sekret.
Zoti Trump falënderoi Shërbimin Sekret dhe forcat e zbatimit të ligjit për punën e tyre.
“Çka është më e rëndësishme,” tha ai, “dua të shpreh ngushëllimet e mia për familjen e personit që u vra, si dhe për familjen e një personi tjetër që u plagos rëndë. Është e pabesueshme që një akt i tillë mund të ndodhë në vendin tonë.
Në veshin e majtë dhe në fytyrën e ish-presidentit dukeshin shenja gjaku pas atyre që u dukën se ishin të shtëna e që vinin nga një drejtim i panjohur.
Kur po largohej, ai ngriti një grusht drejt turmës, e cila thërriste: “SHBA, SHBA”.
Sulmi erdhi pas një dite të ngjeshur fushatash për zotin Trump dhe ish-Presidentin Joe Biden në garën presidenciale të 2024-ës.
Zyrtarët e fushatës së ish-presidentit Donald Trump thanë në një deklaratë se ai ishte mirë me shëndet.
“Presidenti Trump falenderon forcat e rendit dhe reaguesit e parë për veprimin e tyre të shpejtë gjatë këtij akti të urryer”, tha zëdhënësi Steven Cheung në një deklaratë. “Ai është mirë dhe po kontrollohet në një institucion mjekësor lokal. Më shumë detaje do të jepen në vazhdim”.
Shërbimi Sekret tha në një deklaratë se “ish-presidenti ishte jashtë rrezikut për jetën” dhe se çështja tashmë ishte nën hetim aktiv. Po kështu shtoi se informacione të mëtejshme do të publikohen kur të jenë të disponueshme.
Sulmi ndaj zotit Trump ishte përpjekja më serioze për të vrarë një president ose kandidat presidencial që nga atentati ndaj Ronald Reganit në vitin 1981.
Ky atentat vjen në një atmosferë thellësisht të polarizuar politike, vetëm katër muaj para zgjedhjeve presidenciale dhe disa ditë përpara se zoti Trump të marrë zyrtarisht emërimin si kandidati i partisë së tij në Kuvendin Republikan. Fushata e tij tha se Kuvendi do të mbahej siç ishte planifikuar./VOA