Shërbimi Sekret është përgjegjës për dështimet e shumta të sigurisë që mundësuan atentatin e 13 Korrikut ndaj ish-presidentit amerikan Donald Trump në Pensilvani.

Kështu thuhet në raportin 5 faqësh të hartuar nga vet agjencia për sulmin, përfundimet e të cilit i bëri të ditura për publikun drejtori i Shërbimit Sekret, Ronald Rowe në një konferencë për mediat.

Sipas këtij raporti, agjentët nuk arritën të përdornin teknologjinë që mund të kishte zbuluar sulmuesin teksa ai ngriti një dron mbi vendin e tubimit disa orë më parë.

Gjithashtu në raport thuhet se as Donald Trump dhe as sigurimi i tij nuk ishte informuar se policia po kërkonte për të dyshuarin, ndërsa ish-presidenti vazhdonte të mbante fjalën në podium.

Një element tjetër i këtij hetimi është se Shërbimi Sekret nuk urdhëroi kurrë snajperët e policisë lokale të mbulonin çatinë nga qëlloi Thomas Matthew Crooks.

Kjo i lejoi autorit të ngjitej në çati dhe të gjuante disa herë, duke vrarë një person dhe duke plagosur të tjerë, përfshirë Donald Trump.

Rowe, i cili mori detyrën pasi paraardhësi i tij Kimberly Cheatle u detyrua të jepte dorëheqjen për ngjarjet e 13 Korrikut, tha se shkelja e sigurisë në Butler nuk ishte rezultat i mungesës së burimeve, por një dështim për të parashikuar kërcënimin.

Tv Klan