Të djathtët radikalë, për të parën herë pritet të dalin të parët në zgjedhjet parlamentare të kësaj të Diele në Austri.
Sondazhet e rendisin Partinë e Lirisë në krye më mbi 27% të votave, një përqindje që megjithatë nuk ia mundëson këtij grupimi të formojë i vetëm qeverinë e re.
Nëse konfirmohet mbështetja që parashikojnë sondazhet, strategjia e liderit Herbert Kikl për të ringritur këtë parti pas skandalit të përgjimeve të vitit 2019 që zbuloi marrjen e financimeve të jashtëligjshme nga Rusia, që lëkundi mbështetjen e saj popullore do të rezultojë e suksesshme.
Përveçse për vënien nën kontroll të migracionit të paligjshëm, një numër gjithnjë e në rritje votuesish shohin tek kjo parti, një alternativë për të shprehur me votë revoltën për nivelin e lartë të inflacionit që është pasojë e luftës në Ukrainë dhe e kufizimeve të pandemisë së koronavirusit.
Gjithsesi nuk do të jenë radikalët e djathtë, por konservatorët e Partisë Popullore, ata që do të venë themelet e qeverisë së re.
Kryeministri Karl Nehamer është shprehur i hapur për një qeveri me Partinë e Lirisë, por kur Herbert Kikli, të cilin e konsideron “njeri toksik”, të japë dorëheqjen. Bashkëpunimi me socialdemokratët dhe liberalët e NEOS-it është një tjetër alternativë për Nehamerin.
Tv Klan