Klaus Gjasula ishte padyshim protagonisti i ndeshjes për Shqipërinë në ndeshjen me Kroacinë që u mbyll 2 me 2.
Gjasula hyri në rekordet e Kampionatit Europian, duke shënuar në një ndeshje autogol dhe gol.
Klaus ishte i ftuar në emisionin Kampionët me Marina Vjollcën në Tv Klan, ku rrëfeu emocionet e tij në ndeshjen me Kroacinë. Ai thotë se sapo hyri në fushën e lojës me zëvendësim, gjithçka shkoi keq për kuqezinjtë. Menjëherë erdhi goli i barazimit, pastaj autogoli nga Gjasula që i dha avantazhin kroatëve.
Në minutat e fundit, Klaus Gjasula thotë se vendosi që në çdo aksion të avanconte shumë përpara për të rregulluar gabimin, siç shprehet ai. Dhe në fund, shënoi golin e barazimit duke e mbyllur ndeshjen me rezultatin 2 me 2.
“Atë moment e kam pritur gjirhë jetën. Ishte situata që lejoheshin 5 lojtarë të nxeheshin dhe unë nuk isha te ata 5 lojtarët. U nxehën më shumë sulmuesit pastaj erdhi rasti që Kroacia futi sulmuesin e gjatë dhe kështu ndryshoi situata. U nxeha pak dhe hyra menjëherë në lojë, domethënë e papritur. Kur hyra kisha shumë mendime. Kur hyra pa prekur një top, 1 me 1. Situata e dytë në fushë pastaj bëhet autogol, më iku pak truri me thënë të drejtën. Në 3-4 minuta u ndryshua gjithë loja. Mendoja pse më ngeli mua kjo tani. Prandaj filluam kundërsulmet që kishim ne 10 minutat e fundit, ngjitesha gjithmonë para se doja të rekuperoja diçka. Kisha 2-3 situata hutimi, më kishte ikur truri, nuk isha shumë i qetë. Në fund kuptova që tani duhet të bëjmë diçka dhe prandaj u ngjita gjithmonë përpara. Që do bëja gol, normal që nuk e dija. Ndeshja ime nuk ishte, po do rregulloja gabimin që bëra”, tha Klaus Gjasula.
/tvklan.al