Autori i masakrës në Tregun e Krishtlindjes në qytetin e Madegburgut ishte nën efektin e lëndëve narkotike kur bëri krimin.

Lajmin e bën të ditur gazeta gjermane Bild e cila shkruan se ai ka rezultuar pozitiv në testin që është kryer nga policia. Disa media gjermane e identifikuan të arrestuarin si Taleb A., duke mos publikuar mbiemrin e tij në përputhje me ligjet e privatësisë.

Kohët e fundit, ai dukej i përqendruar në teorinë e tij se autoritetet gjermane kanë vënë në shënjestër azilkërkuesit sauditë.

Në një intervistë për “Frankfurter Allgemeine Zeitung” ai kritikoi Islamin në vitin 2019. “Unë jam kritiku më agresiv i Islamit në histori,” tha ai në atë kohë.

Media gjermane Bild ka analizuar mesazhet që ai ka shpërndarë në internet dhe ka gjetur shkrime mjaft shqetësuese. Duke e përshkruar veten si një ish-mysliman, i dyshuari shpërndante dhjetëra postime në rrjetin “X” çdo ditë duke u përqendruar në temat anti islame, duke kritikuar fenë dhe duke uruar myslimanët që braktisën besimin.

Para krimit, mjeku ndau qindra postime të çuditshme në llogarinë e tij “X”. Ai pretendon se kishte një komplot nga autoritetet gjermane kundër refugjatëve sauditë.

Autori gëzon statusin e refugjatit që nga viti 2016 dhe ka punuar në një klinikë psikiatrike në Bernburg, një qytet me 32 mijë banorë rreth 50 kilometra në jug të Magdeburg.

Nga postimet dhe komentet e tij duket se ai ishte një kritik i politikës së emigracionit të Joe Biden në SHBA dhe një fans i sipërmarrësit miliarder Elon Musk.

Pas sulmit në Magdeburg, dyqanet në tregun e Krishtlindjeve do të qëndrojnë të mbyllura, si dhe qendrat kulturore. Ndërsa tregjet e Krishtlindjeve në Berlin dhe qytete të tjera do të vazhdojnë të funksionojnë normalisht, por janë shtuar masat e sigurisë.

Klan News