Policia e Tiranës ka reaguar pas rastit të rëndë që ndodhi mbrëmjen e së shtunës në Tiranë, ku babai vrau me thikë djalin e tij.

Uniformat blu thonë se kanë arrestuar Hekuran Gjonin, 74 vjeç. Sipas efektivëve, ngjarja ka ndodhur pas një konflikti mes tij dhe djalit, Asimit, për motive të dobëta.

“Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi pasditen e djeshme, gjatë një konflikti të çastit për motive të dobëta, ka goditur me mjet prerës djalin e tij shtetasin Asim Gjoni, i cili si pasojë ka humbur jetën në spital”, njoftoi policia.

Ndaj Hekuran Gjonit rëndon akuza për vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare.

Asim Gjoni ishte baba i dy fëmijëve dhe pjesë e Forcave të Armatosura. Dyshohet se si babai dhe i biri kanë qenë në gjendje të dehur në momentin e vrasjes.

Hekuran Gjoni pritet të merret sërish në pyetje, por fillimisht ka deklaruar se me të birin kishte shpesh konflikte pasi ai e shante dhe bullizonte.

Megjithatë hetimet për këtë rast vijojnë për të zbuluar rrethanat dhe shkaqet e plota të ngjarjes./tvklan.al