Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e sotme në Tiranë ku 74- vjeçari Hekuran Gjoni ka vrarë duke goditur disa herë me thikë djalin e tij 37-vjeçarin Asim Gjoni.

Gazetari i Klan News, Besar Bajraktaraj mëson se të dy kanë qenë në gjendje të dehur, teksa babai ka pranuar përpara policisë që e ka vrarë të birin dhe pritet të merret në pyetje për shkakun e sherrit.

Në foto Hekuran Gjoni, i cili vrau djalin e tij Asim Gjoni
Viktima Asim Gjoni, mbeti i vrarë me thikë nga babai

Sipas asaj që bën të ditur policia ngjarja ka ndodhur në banesën e tyre tek Kodra e Priftit, në rrugën “Ilia Shyti” në kryeqytet.

Gazetari raporton se autori 74-vjeçar Hekuran Gjoni ka dhënë një dëshmi të shkurtër për grupin hetimor, dhe për shkak të gjendjes së rënduar do të merret sërish në pyetje. Ai ka pohuar se me të birin kishte shpesh konflikte për shkak se sipas tij e shante dhe e bullizonte. 74-vjeçari ka treguar më tej se nuk donte që ta vriste djalin, por situata doli jashtë kontrollit.

Ndërkohë bëhet e ditur se viktima Asim Gjoni ishte pjesë e Forcave të Armatosura.

Viktima Asim Gjoni, pjesë e Forcave të Armatosura

Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.


Njoftimi i Policisë:

Më datë 01.02.2025, rreth orës 18:50, tek Kodra e Priftit, në rrugën “Ilia Shyti”, në banesë, shtetasi H. Gj., rreth 74 vjeç, ka goditur me mjet prerës djalin e tij shtetasin A. Gj., 37 vjeç, i cili për pasojë ka humbur jetën në spital.

Menjëherë pas njoftimit të marrë për ngjarjen, shërbimet e Policisë kanë bërë shoqërimin e autorit  në Komisariat për veprime të metejshme.

Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.


/tvklan.al