Edi Rama nuk mjaftohet vetëm me një mandat të katërt në 11 Maj, por nga të vetët kërkon një fitore të thellë numerike përballë aleancës së drejtuar nga demokratët e Sali Berishës.
Në një takim me asambletë e Kavajës, Rrogozhinës e Vorës, kryesocialisti shkoi përtej ambicies së 74 mandateve që mori në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021.
“Në 11 Maj, ne duhet t’i prezantojmë atyre një noc rrok madhështor, domethënë duhet të më ndihmoni që ta realizojmë këtë, që atyre t’u çojmë noc rrokun, po një noc rrok aq madhështor sa të thonë: Çfarë i bëmë vetes që zgjuam noc rrokun”, tha Rama.
Votën e shqiptarëve e kërkoi për të çuar në fund një mision, që sipas tij, vetëm Partia Socialiste nga ëndërr mund ta kthejë në realitet.
“Parafytyroni tani, sikur në 11 maj rezultati të mos jetë i qartë, sikur gjithë kjo qëndrueshmëri që kemi krijuar të lëkundet, sikur pozicioni ndërkombëtar ku e kemi vendosur Shqipërinë të vihet në dyshim dhe sikur ata të thonë: – Ore po mirë më fal për çfarë bëhet me kë do punojnë dhe mjafton një rrëshqitje 6 mujore për të mos thënë më shumë dhe nuk arrihet më gjëja dhe ajo mundësi mund të mund të iki që aty. Sot e kemi në tavolinë kalendarin e miratuar bashkërisht dhe të dakordësuar prej tyre, na kanë thënë, “mbyllini negociatat në 2027”, tha Rama.
Krahas integrimit, ironia me kundërshtarët e rreshtuar në koalicionin e drejtuar nga Berisha duket të jenë arma që Edi Rama do përdorë deri në fund të fushatës elektorale.
“Kujtimi është më i miri atje, më madhështori, më simpatiku, por përveç mustaqeve, s’ka asnjë gjë tjetër. Ata tjerët s’kanë as mustaqe”, tha Rama.
Tv Klan