“I kemi kërkuar ndjesë popullit të Shkodrës”
Pas mbledhjes së Kryesisë kreu i Grupit Parlamentar të PS Taulant Balla në një deklaratë për mediat i pyetur nga gazetarët tha se rasti i Valdrin Pjetrit është përgjegjësi personale e tij dhe jo e PS.
“Rastit të Valdrin Pjetri i cili u votua nga populli i Shkodrës më 30 Qershor për të qenë kryetar i bashkisë, por për shkak të një përgjegjësie personale nuk u betua për të qenë kryetar pas provave që u bënë publike hynte nën juridiksionin e ligjit, të dekriminalizimit, të pastërtisë së figurës për personat që zgjidhen. Kjo është përgjegjësi personale. Kryeministri ka rishprehur dhe sot në kryesi atë që ka thënë dje në Këshillin drejtues të Rajonit të Veriut: “Domosdoshmërinë që këtë përgjegjësi personale të personave që nuk deklarojnë të shkuarën e tyre ne ta ashpërsojmë përmes mekanizmave ligjorë, të cilat në rast se një person që ka detyrim deklarimin, përmes ligjit të dekriminalizmit, të ndëshkohet më ashpër sesa parashikohet sot nga legjislacioni aktual”.
Balla deklaroi se PS do jetë forca motor i reformimit jo vetëm të brendshëm, por edhe krijimi i një platforme digjitale për të gjithë anëtarët e PS.
“Kryeministri ka qenë i qartë dhe sot e kemi diskutuar dhe PS do të jetë forca motor i reformimit jo vetë të brendshëm të saj. Diskutimi më i gjatë sot ka qenë raportimi nga ana ime lidhur me krijimin e platforme të komunikimit të menjëhershëm me strukturat e partisë dhe krijimin e një data base të plotë të të gjithë anëtarëve të partisë duke përfshirë jo vetëm Cv, por edhe një implementim”.
Gjithashtu ai tha se PS, i ka kërkuar ndjesë popullit të Shkodrës lidhur me rastin e Valdrin Pjetrit.
“Qoftë unë, por edhe kryetari i PS, që ditën e parë që është vërtetuar ajo që është referuar në media mospërputhshmëria e kandidaturës së Valdrin Pjetrit me pritshmëritë e popullit të Shkodrës, i kemi kërkuar ndjesë për këtë kandidaturë dhe përgjegjësia është personale”.
Ndërsa i pyetur lidhur më akuzat e ngritura nga PD, për kryebashkiakun e Vorës, Agim Kajmaku, Balla tha se PS nuk është bërë mburojë për askënd.
“Në çdo rast PS ka vënë një standard në politikën shqiptare, kurrë nuk jemi bërë mburojë për askënd. Në rast se forcat e tjera merrnin gavetat dhe shkonin ushqenin Xhelal Mziun në derë të burgut, PS nuk e ka bërë kurrë“. /tvklan.al