Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka postuar një video nga tuneli i Murrizit i cili do të hapet mesditën e nesërme për qarkullimin e automjeteve.

Balluku nga tuneli shprehet se kanë mbetur vetëm pak orë nga hapja zyrtarisht e kësaj vepre sfiduese infrastrukturore e cila kërkoi vite punë për përfundimin e saj.

“Rrugën e Arbrit”, pjesë e të cilës është edhe tuneli i Murrizit, Balluku e ka quajtur si rruga e të gjithë shqiptarëve teksa shprehet e kënaqur për përfundimin e këtij segmenti.

“Ndodhem në tunelin e Murrizit, vetëm pak orë para hapjes së tij zyrtarisht. Vite, muaj, punë e palodhur nga e gjithë skuadra. Një vepër sfiduese infrastrukturore e cila padyshim morri kohë, por tani është gati dhe nuk ka kënaqësi më të madhe se dita finale, si kjo dita sot. Nesër në orën 12:00 në hyrje dhe në dalje të tunelit të gjithë së bashku do të festojmë veprën infrastrukturore  më të madhe të verilindjes shqiptare, ‘Rrugën e Arbrit’ të përfunduar. Rrugën e të gjithë shqiptarëve dhe veçanërisht të Dibrës time”, shprehet Belinda Balluku.

/tvklan.al