Tuneli i Murrizit, vepra më e rëndësishme e Rrugës së Arbrit do të hapet për qarkullimin e automjeteve me 14 Mars.

Kështu deklaroi zv.Kryeministrja Belinda Balluku, e cila inspektoi nga afër punimet.

“Në datën 14 Mars do të hapim tunelin e Murrizit për akses për të gjithë drejtuesit e automjeteve në drejtim të Tiranës dhe atë të Dibrës. Ndërkohë po vazhdojmë dhe po punojmë në këto momente me tunelin ndihmës i cili është pjesë e këtij projekti”, tha Balluku.

Një investim i tillë i nisur prej vitit 2019 pritet ti japë hov zhvillimit ekonomik të zonës.

“Bashkë me pranverën, të hapim dhe Rrugën e Arbrit, një nga rrugët kombëtare më të rëndësishme. Një nga rrugët të cilat padyshim do të shënojë rritjen ekonomike të të gjithë kësaj zone dhe do të shënojë rritjen e sektorit turistik për zonën e veriut”, tha Balluku.

Hapja e tunelit të Murrizit është komentuar në rrjetet sociale edhe nga Kryeministri Edi Rama, i cili thotë se ai do të jetë në dispozicion jo vetëm të dibranëve por edhe të atyre që duan të zbulojnë mrekullitë e zonës.

“Në tunelin e Murrizit, po punohet për detajet e fundit dhe po mbaroi edhe kjo punë pa surpriza të reja, s’ka më sy t’keq që na bën gjë”, tha Balluku.

Tuneli i Murrizit ka një gjatësi prej 3.78 kilometrash dhe përbëhet nga dy tuba, ai i trafikut dhe ai i emergjencës.

Tv Klan